Huntsville është një qytet me rreth 50 mijë banorë në Teksas, i njohur në të gjithë Shtetet e Bashkuara për burgjet dhe mbi të gjitha për “Walls Unit”, kompleksin penitenciar ku kryhen ekzekutimet me injeksion vdekjeprurës.
Në pamje të parë, Huntsville nuk ndryshon shumë nga qytetet e tjera të Teksasit. Në qendër ka disa ndërtesa të vjetra, dyqane, restorante dhe sheshe parkimi, ndërsa përreth shtrihen lagje tipike periferike amerikane.
Por pas këtij peizazhi të zakonshëm fshihet një realitet që ka përcaktuar jetën ekonomike dhe sociale të qytetit: burgjet.
Janë shtatë institucione penitenciare të shpërndara në zonën e Huntsville dhe një pjesë e konsiderueshme e banorëve punojnë në sistemin e burgjeve ose kanë familjarë që punojnë aty.
Për qytetin, burgjet janë vende pune, burim të ardhurash dhe pjesë e pandashme e përditshmërisë. Ndërsa të dënuarit, mbeten kryesisht jashtë vëmendjes së publikut.
Herë pas here, ata shihen në grupe, të veshur me të bardha, duke pastruar hapësirat e gjelbra. Por jeta e tyre zhvillohet pas mureve dhe larg syve të qytetit.
Në ditën e ekzekutimit të LeJames Norman, ky kontrast bëhet veçanërisht i dukshëm. Norman ndodhet në një burg të sigurisë së lartë pranë Livingston Lake, përpara transportimit drejt Walls Unit.
Ai ishte dënuar për vrasjen e tre personave në Edna, Teksas, në gusht të vitit 2005. Sipas rindërtimit të ngjarjes, Norman dhe bashkëpunëtori i tij, Ker’sean Ramey, hynë në banesën e Celso Lopezit duke kërkuar drogë.
Lopez u qëllua dhe më pas u vranë edhe dy persona të tjerë që ndodheshin në shtëpi, Tiffany Peacock, 18 vjeçe, dhe Sam Roberts, 24 vjeç. Pas krimit, Norman u arratis në Meksikë.
Në janar 2006, teksa tentonte të kthehej në Shtetet e Bashkuara me pasaportë false, u arrestua. Dy dekada më vonë, ai ndodhet në Huntsville, në pritje të ekzekutimit.

Përballë Walls Unit është një ndërtesë e vogël me tabelën “Family Waiting Area”. Në atë pasdite është bosh. Sipas procedurës së ditëve të ekzekutimit, i dënuari ka një telefonatë të fundit, takon një prift dhe avokatin, merr vaktin e fundit dhe më pas dërgohet në dhomën e ekzekutimit.
Ndërkohë, qyteti vazhdon ritmin e zakonshëm. Në qendër, shqetësimi kryesor i banorëve duket të jetë parkimi. Një grua e moshuar thotë se nuk ka më gazeta lokale dhe se ekzekutimet ndodhin gjithnjë e më rrallë.
Një tjetër banore nuk di asgjë për ekzekutimin. Ajo këshillon vetëm që makinat të zhvendosen pas dy orësh, për të shmangur gjobat. Pak para orës gjashtë, zona përreth burgut ndryshon.
Dalin policët, vendosen barriera dhe disa protestues kundër dënimit me vdekje mblidhen përballë ndërtesës. Janë vetëm disa persona. Trafiku vazhdon. Një djalë kalon me biçikletë, ndërsa qytetarët vazhdojnë aktivitetet e tyre të zakonshme.
Në orën 18:00 bien kambanat e burgut. Në të njëjtin moment nis procedura e ekzekutimit me pentobarbital. Gjithçka ndodh pas mureve. Nuk ka spektakël, s’ka zhurmë dhe asnjë shenjë të dukshme për kalimtarët.
Gjysmë ore më vonë, LeJames Norman ka vdekur. Jashtë, Huntsville mbetet pothuajse i pandryshuar. Makinat vazhdojnë të lëvizin, njerëzit kthehen në shtëpi dhe qyteti përgatitet për mbrëmjen.
Më pas bëhet e ditur se fjalët e fundit të Norman ishin “I love you” (Ju dua!), drejtuar dy fëmijëve dhe një miku që ndodheshin si dëshmitarë. Pas kësaj, ai mori frymë thellë dhe mbylli sytë.
Për Huntsville ishte një tjetër ditë pranë dhomës së vdekjes. Për qytetin, jeta vazhdoi.
















