Deputetja socialiste Sara Mila, e njohur për shpjegimin e famshëm të rregullit të treshit, na ka dhënë një tjetër leksion. Këtë herë jo në matematikë, por në disiplinë partie.
Në një intervistë për Euronews Albania, Mila tregoi se e kishte falënderuar personalisht Erion Braçen pasi ky i fundit votoi reformën territoriale, ndonëse më parë e kishte kundërshtuar vazhdimisht.
Pra, deputetja e falënderoi kolegun jo sepse mbrojti bindjet e tij, por pikërisht sepse hoqi dorë prej tyre dhe votoi siç votoi grupi.
Madje, Mila na shpjegoi edhe filozofinë e saj parlamentare: qytetarët nuk kanë votuar Sara Milën, por trëndafilin e Partisë Socialiste. Prandaj, kur ngre kartonin, ajo nuk përfaqëson veten, por partinë.
Dhe për t’u dhënë një leksion demokracie deputetëve të opozitës, i sfidoi të dalin një herë kundër Sali Berishës.
Kështu, sipas logjikës së deputetes, kur demokratët nuk dalin kundër kryetarit, është mungesë demokracie. Kur socialistët heqin dorë nga kundërshtitë dhe votojnë në bllok, meritojnë falënderime.
Në Partinë Socialiste, mendimi ndryshe tolerohet deri në momentin kur duhet të ngresh kartonin. Pastaj, kush bindet, meriton edhe një falënderim.
















