E shtunë, 10 Tetor, 2026
Gazeta Korrieri
  • Kreu
  • Aktualitet
  • Fokus
  • Investigim
  • SPAK News
  • Botë
  • Show Bizz
Nuk u gjet asnjë rezultat
Shfaq të gjitha rezultatet
Gazeta Korrieri
  • Kreu
  • Aktualitet
  • Fokus
  • Investigim
  • SPAK News
  • Botë
  • Show Bizz
Nuk u gjet asnjë rezultat
Shfaq të gjitha rezultatet
Gazeta Korrieri
Nuk u gjet asnjë rezultat
Shfaq të gjitha rezultatet
Kreu Aktualitet

Doktor ChatGPT: Si po e ndryshon IA marrëdhënien mes mjekut dhe pacientit

Korrieri nga Korrieri
10.10.2026
në Aktualitet
A A
Doktor ChatGPT: Si po e ndryshon IA marrëdhënien mes mjekut dhe pacientit
103
NDARJE
10.3k
SHIKIME
Ndaje në FacebookNdaje në WhatsApp

Pas tre seancave intensive dhe testeve të specializuara, psikologia Sonila Jaupbashi e kuptoi që pacientja që kishte përballë nuk vuante nga çrregullimi obsesivo-kompulsiv, i njohur si OCD.

Vajza nuk ishte një paciente e zakonshme – ajo ndiqte vitin e tretë të studimeve të larta për mjekësi në Gjermani. E megjithatë, në zyrën e psikologes ajo këmbëngulte se vuante prej vitesh nga OCD-ja.

“Unë harxhova kohë dhe tre seanca të vështira, me teste dhe pyetësorë të veçantë që përdoren për të vendosur këtë diagnozë dhe ajo harxhoi jo pak para,” tha Jaupbashi për BIRN. “Më pas, ajo pranoi se ishte e diagnostikuar nga ChatGPT”.

Ndërsa Inteligjenca Artificiale po përdoret masivisht për konsulta mjekësore dhe vetëdiagnostikim, një krisje e madhe po ndodh paralelisht në marrëdhëniet tradicionale mes mjekëve dhe pacientëve në Shqipëri.

Ndryshe nga vite më parë, kur mjeku ishte autoriteti i vetëm mbi shëndetin, sot qytetarët janë të armatosur me informacion përmes mjeteve të Inteligjencës Artificiale dhe po sfidojnë mjekët në punën e tyre – shpeshherë me kosto financiare, emocionale dhe shëndetësore.

Mjekë të specialiteteve të ndryshme i thanë BIRN se gati 90% e pacientëve paraqiten për vizita pasi i kanë konsultuar simptomat në ChatGPT; madje një pjesë ka kaluar përmes protokolleve të kushtueshme diagnostikuese apo skemave të trajtimit pa marrë më parë rekomandimin e mjekut.

Shumica e mjekëve e shohin me shqetësim këtë tendencë, duke folur madje për varësi apo psikoza të përhapura në shoqëri për shkak të vetëdiagnostikimit me IA. Megjithatë, ka edhe mjekë që e shohin Inteligjencën Artificiale si aleat.

“Sigurisht kjo ka rriskun e vet, por tashmë mjekët kanë një tjetër presion për vlerësimin e aftësive të tyre, pasi mund të kapet mat,” thotë Qamil Dika, pedagog në Fakultetin e Mjekësisë.

“Është lëkundur disi besimi i patundur se mjeku klasik ishte ai mjeku me librat e mëdhenj, që t’i s’kishe ku e kontrolloje,” theksoi ai.

Në vend të luftës me Inteligjencën Artificiale, mjekët apelojnë për ngritjen e një sistemi kontrolli për pasojat – ata propozojnë që rekomandimi i mjekut të bëhet kusht për kryerjen e analizave në laboratorë privatë ose për blerjen e medikamenteve në farmaci.

Diagnozë me Chat

ChatGPT nuk është dizajnuar posaçërisht si mjet mjekësor. Përdorimi i këtij chatboti dhe asistenti virtual mundëson qasje të shpejtë në informacion, por mbart gjithashtu rreziqe për diagnoza të gabuara ose keqinformim mjekësor.

Megjithatë, Mihania e quan atë “shoku im”.

Gruaja 70-vjeçare është pensioniste dhe kujdeset e vetme për bashkëshortin e saj, i cili vuan njëherazi nga diabeti, tensioni dhe problemet me zemrën. E kthyer në një “infermiere” për të shoqin, Mihania thotë se ndjen shpesh nevojën për ta pyetur mjekun “për 100 gjëra”, por gjendet në siklet.

“Tani pyes shokun tim chat-in,” thotë Mihane, duke na treguar bisedën e fundit me të.

“Më dalin ato gjërat që më thotë, por nuk është se i besoj 100%, se 100% nuk besoj as doktorin,” shton ajo.

Transferimi i besimit nga mjeku te Inteligjenca Artificiale është një nga efektet që përmendet më shpesh nga mjekët, sa i përket sjelljes së re të pacientëve.

Mjekja obstetër gjinekologe, Eda Bylykbashi i tha BIRN se pak kohë më parë përjetoi ndjenja të përziera, kur një paciente e telefonoi “për t’i kërkuar llogari” se përgjigja që ajo i kishte dhënë, nuk korrespondonte me atë që i thoshte chat-i.

Sipas Bylykbashit, pacientja e kishte futur fotografinë e echo-s në një nga platformat e Inteligjencës Artificiale, duke i dhënë vetëm sekuencën e një momenti. Për të njëjtin rast, Bylykbashi thotë se ka qëndruar gati 30 minuta në echo, duke vëzhguar çdo ind të gjallë dhe mënyrën se si organizmi reagonte në kohë reale.

Ajo e cilëson situatën aktuale “absurde dhe depresionuese për mjekët”, ku pacientët paraqiten me bindje absolute dhe vënë në dyshim përvojën mjekësore 30-vjeçare.

“Është e dhimbshme kjo situatë,” thotë Bylykbashi, duke theksuar se ka raste kur njerëzit bëjnë edhe një mal me analiza të panevojshme sepse ua rekomandon chat-i.

Edhe Zhenisa Çuni, pedagoge e infermierisë në univerisitetin e Gjirokastrës thotë se përdorimi masiv i platformave të Inteligjencës Artificiale për të mbledhur informacion shëndetësor ka shkaktuar stres për stafin shëndetësor.

“Tashmë stafi shëndetësor përballet me pacientë të cilët paraqiten te mjeku me një mori informacioni, i cili jo gjithmonë ka lidhje me gjendjen e tyre shëndetësore,” tha ajo.

Përjashtim nuk bëjnë as stomatologët, si pjesë e një sektori që ka marrë një hov të madh dekadën e fundit.

Stomatologu Enea Tona i tha BIRN se konflikti mjek-pacient për shkak të informacioneve të mbledhura me IA nuk është një çështje e së ardhmes, por një fenomen që “tashmë po ndodh”. Tona e ka zgjidhur këtë dilemë me përgjegjësinë ligjore dhe mjekësore – një gjë me të cilën algoritmet e Inteligjencës Artificiale nuk kanë lidhje.

“Unë përpiqem të jem drastik në këtë pikë dhe pacientët duhet të ndjekin me përpikmëri këshillat e mia. Sigurisht ata mund të bëjnë çfarë gjykojnë të arsyeshme, por unë nuk mbaj asnjë përgjegjësi nëse nuk ndjekin me përpikmëri këshillat që u kam dhënë,” thotë mjeku stomatolog.

Sipas Tonës, qytetarët mund ta përdorin Inteligjecën Artificiale për gjëra të thjeshta në lidhje me shëndetin e tyre, po ai këshillon që të mos ndërmarrin veprime personale vetëm sepse ua thotë chat-i.

“Inteligjenca i përgjigjet nivelit të pyetjes që ti bën dhe kritereve që ti fut aty. Por nuk të jep kurrë përgjigjen që do ta jepte një mjek,” thotë ai.

Kur e pyet se si ndjehet kur pacientët i kundërpërgjigjen me ChatGPT, Tona përgjigjet shpejt: “Frustrohem, të jep një ndjesi zhgënjimi sepse ti po i jep zgjidhje dhe ai të kundërshton dhe ta bën më të vështirë zgjidhjen e problemit.”

Përballë kësaj situate, mjekë dhe ekspertë të shëndetit publik bëjnë thirrje për më tepër durim dhe maturi nga ana e personelit shëndetësor.

Presidenti i Urdhrit të Mjekut, Dritan Trepçe preferon ta konsiderojë Inteligjencën Artificiale si aleat dhe pohon se Shqipëria nuk është e vetme në këtë problematikë. Ai i tha BIRN se Urdhri u ka sugjeruar mjekëve që t’i sqarojnë me kujdes dhe të jenë të duruar me pacientët.

Edhe Erion Dasho, ekspert i politikave shëndetësore, apelon që mjekët ta pranojnë teknologjinë bashkë me faktin që pacientët do të shfaqen gjithnjë e më shumë të informuar përballë tyre. Por ai bën gjithashtu thirrje për kujdes.

“Fatkeqësisht, IA nuk është 100% e saktë, bën edhe gabime dhe si pasojë pacientët mund të vijnë edhe të keqinformuar. Që do të thotë se personeli shëndetësor do të përballet me një tjetër sfidë, që në një mënyrë a në një tjetër duhet ta kapërcejë,” thekson Dasho.

Kosto emocionale dhe financiare

Vetëdiagnostikimi përmes IA nxit shpesh kryerjen e ekzaminimeve dhe analizave të panevojshme, duke krijuar kosto të larta financiare për familjet. Mjekët raportojnë raste ekstreme, ku familjet harxhojnë deri në dhjetra mijëra lekë çdo javë për analiza të rekomanduara nga AI për shkak të ankthit të krijuar.

“Varësia është aq e madhe, saqë tashmë ka një kategori pacientësh që kanë krijuar psikoza,” thotë mjekja Eda Bylykbashi.

“Ka raste kur shkojnë e bëjnë markuesit tumoralë apo paketën e plotë të analizave të tumoreve, që është absurde ti bësh kur nuk ke tumor dhe kanë kosto të lartë,” shtoi ajo.

Edhe për ekspertët e shëndetit mendor, konsultimi me Inteligjencën Artificiale po amplifikon disa diagoza të reja.

Psikologia Sonila Jaupbashi tregon rastin e një pacienti 86-vjeçar, për të cilin fëmijët pretendonin se vuante nga stresi post-traumatik pas humbjes së bashkëshortes dhe anashkaluan procesin natyral të zisë, “pasi ua kishte thënë chat-i”. Psikologia thotë se pesë ditë pas humbjes së bashkëshortes, ishte normale që ai të ndihej si i humbur dhe i mbyllur në vetvete.

Jaupbashi u bashkohet zërave që parashikojnë një varësi të re të njerëzve ndaj ChatGPT-së, deri në atë pikë sa mund të shndërrohet në një kategori të re çrregullimi në manualin diagnostik DSM-5.

“Njerëzit janë bërë të varur nga IA, kanë krijuar një lloj psikoze të re. Dhe unë mendoj që ndoshta për pak muaj apo ndoshta dhe për një vit ne do kemi një kategori të re në DSM-5 që do jetë kjo e varësisë nga ChatGPT-ja,” paralajmëron ajo.

Ndryshe nga kolegët, mjekja psikiatre Ariana Rreli thotë se ata ende vazhdojnë të jenë të pakontestueshëm për pacientët.

“Ndoshta sepse pacientët tanë janë ajo kategori që kanë dështuar me të gjitha format dhe kur vijnë tek ne, vijnë të bindur për të gjetur shërim,” thekson ajo.

Nevoja për rregullim

Ndërsa Inteligjenca Artificiale po zhvillohet me ritme marramendëse, qeveritë e kanë të vështirë të ecin në të njëjtin hap për t’iu përgjigjur me kuadër rregullator.

Akti i BE-së për Inteligjencën Artificiale është kuadri i parë rregullator i miratuar në botë, bazuar në rreziqet e mundshme që këto sisteme paraqesin për shëndetin, sigurinë dhe të drejtat themelore. Sipas kësaj rregulloreje, çdo sistem AI që përdoret për diagnostikim, triazh apo mbështetje vendimmarrjeje klinike (CDSS) konsiderohet “me rrisk të lartë” dhe i nënshtrohet vlerësimit të konformitetit, mbikëqyrjes njerëzore dhe kontrollit të të dhënave, që në këtë rast është mjeku.

Në Shqipëri mungon një kuadër rregullator, ndërsa projektligji “Për Inteligjencën Artificiale” ndodhet ende në fazë konsultimi. Por ekspertët paralajmërojnë që pasojat në shëndetin e popullatës duhet të jenë pjesë e këtyre drafteve.

Sipas tyre, përdorimi i Inteligjencës Artificiale për konsulta mjekësore po i shtyn gjithnjë e më shumë pacientët që të bëjnë analiza të panevojshme dhe të kushtueshme mjekësore apo t’u drejtohen farmacive për medikamentet e rekomanduara virtualisht.

Ata sugjerojnë gjithashtu që rekomandimi i mjekut duhet të bëhet kusht për kryerjen e analizave apo shitjen e medikamenteve nga tregu privat.

“Unë personalisht e pranoj se mund të bësh një analizë urine për infeksion urinar pa një recetë apo rekomandim nga mjeku, por asnjë laborator nuk duhet të pranojë të bëjë markuesit tumoralë, pa rekomandim të mjekut, për një pacient që nuk ka historik sëmundje,” tha mjekja Eda Bylykbashi.

Edhe Erion Dasho mendon se tashmë ekziston nevoja e rregullimit të kujdesit shëndetësor, sidomos atë që ofrohet nga rrjeti i farmacive.

“Pra nuk mund ta ndalojmë qytetarin që t’i kërkojë rekomadime IA-së për trajtimin, por duhet të ndalojmë farmacinë që të japë medikamete pa recetë mjekësore,” theksoi Dasho.

Pedagogu i Mjekësisë, Qamil Dika shkon më tej, duke kërkuar krijimin e një praktike të posaçme rregullatore.

“Autoritetet duhet t’i paraprijnë abuzimeve përmes një praktike rregullatore që garanton identifikimin e plotë të profesionistëve që ofrojnë shërbim,” thotë Dika, duke shtuar se në Shqipëri mungon monitorimi zyrtar dhe regjistrimi i konsultave.

Në mungesë të udhëzimeve zyrtare, Mihania ka vendosur rregullat e veta në përdorimin e ChatGPT-së.

“Mbaj shënim çdo gjë, se edhe mjekët secili kanë teorinë e vet. Çfarë thotë njëri, nuk e thotë tjetri,” thotë gruaja, ndërsa pjesë të konsultave ka futur tashmë edhe chat-in.

“Por për vendime të rëndësishme apo medikamente, gjithmonë ndjek vetëm atë që më thotë doktori, sepse kam kujt t’i kërkoj llogari,” përfundoi ajo. /birn

Para

Ergys Agasi, ‘koordinatori’ me ndikim në majat e pushtetit

Pas

Bordi i Transparencës ndryshon çmimet, ja sa do të shitet nafta dhe benzina

Nga Kategoria

Grabitjet më spektakolare prej miliona eurosh të verërave, djathit e tonelatave me nutella
Aktualitet

Grabitjet më spektakolare prej miliona eurosh të verërave, djathit e tonelatave me nutella

10.10.2026
10.3k
Tiranë/ Modifikonin makineta të kontrabanduara për lojërat e fatit, 2 të arrestuar
Aktualitet

Tiranë/ Modifikonin makineta të kontrabanduara për lojërat e fatit, 2 të arrestuar

10.10.2026
10.3k
Nafta është kthyer në luks për shqiptarët/ Paguajmë 7 herë më shumë se holandezët dhe 2 herë më shumë se rajoni
Aktualitet

Bordi i Transparencës ndryshon çmimet, ja sa do të shitet nafta dhe benzina

10.10.2026
10.3k
Bashkë me Ergys Agasin arrestohet edhe i besuari i Ilir Prodës: Si u ndoqën nga Elbasani deri te Plepat
Aktualitet

Ergys Agasi, ‘koordinatori’ me ndikim në majat e pushtetit

10.10.2026
10.3k

Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Të Përzgjedhura

4.7 mln € mashtrime me Call Centera/ Mbi 100 vite burg për grupin e Bruno Çobos, Apeli i GJKKO lë në fuqi dënimet

4.7 mln € mashtrime me Call Centera/ Mbi 100 vite burg për grupin e Bruno Çobos, Apeli i GJKKO lë në fuqi dënimet

06.10.2026
10.4k
Mori zarfin me 4 milionë lekë ryshfet, GJKKO liron nga qelia administratorin e Inceneratorit të Elbasanit!

Mori zarfin me 4 milionë lekë ryshfet, GJKKO liron nga qelia administratorin e Inceneratorit të Elbasanit!

09.10.2026
10.3k
Miratohet me 85 vota pro Reforma Territoriale, shkrihen 15 bashki

Miratohet me 85 vota pro Reforma Territoriale, shkrihen 15 bashki

09.10.2026
10.3k
Pas 7 vitesh përpjekje, 117-vjeçarja përfiton shtesë të posaçme pensioni nga shteti

Pas 7 vitesh përpjekje, 117-vjeçarja përfiton shtesë të posaçme pensioni nga shteti

08.10.2026
10.3k
Tiranë/ Modifikonin makineta të kontrabanduara për lojërat e fatit, 2 të arrestuar

Tiranë/ Modifikonin makineta të kontrabanduara për lojërat e fatit, 2 të arrestuar

10.10.2026
10.3k
Hetimi për videot intime, Policia merr në pyetje edhe tre vajza të tjera

Hetimi për videot intime, Policia merr në pyetje edhe tre vajza të tjera

07.10.2026
10.4k

Boom-i Javës

Videot erotike të Adi Hilës, këngëtarja nga Kosova bën denoncim në Polici: Pamjet i nxorri një person që është pjesë e tyre

Videot erotike të Adi Hilës, këngëtarja nga Kosova bën denoncim në Polici: Pamjet i nxorri një person që është pjesë e tyre

06.10.2026
10.4k
Berisha nxjerr emrin: Burri i Alketa Vejsiut , Ardi Nelaj i Orion pagoi seancat e detoksit të Ramës në Bolzano

Berisha nxjerr emrin: Burri i Alketa Vejsiut , Ardi Nelaj i Orion pagoi seancat e detoksit të Ramës në Bolzano

10.02.2025
11.3k
Vajza e Eli Farës “tërbon” ndjekësit, shfaqet nudo në vaskë/ FOTO

Vajza e Eli Farës “tërbon” ndjekësit, shfaqet nudo në vaskë/ FOTO

23.09.2023
10.5k
Skandal në Raiffeisen/ Qindra qytetarëve u zhduken paratë nga llogaria, dyshohet për vjedhje masive

Skandal në Raiffeisen/ Qindra qytetarëve u zhduken paratë nga llogaria, dyshohet për vjedhje masive

05.10.2026
10.4k
Detaje nga aksidenti TRAGJIK në Gramsh/ Dalin EMRAT e mësueses dhe shoferit që humbën JETËN, në gjendje të RËNDË infermierja!

E rëndë në Tiranë, humb jetën në spital një 12-vjeçar, dyshohet për arrest kardiak

06.10.2026
10.4k
Videot intime, Eli Fara dëshmon në polici: Nuk i ka shpërndarë Adi Hila

Videot intime, Eli Fara dëshmon në polici: Nuk i ka shpërndarë Adi Hila

02.10.2026
10.4k

  • Kreu
  • Aktualitet
  • Fokus
  • Investigim
  • SPAK News
  • Botë
  • Show Bizz

© 2026 Gazeta Korrieri.

Nuk u gjet asnjë rezultat
Shfaq të gjitha rezultatet
  • Kreu
  • Aktualitet
  • Fokus
  • Investigim
  • SPAK News
  • Botë
  • Show Bizz

© 2026 Gazeta Korrieri.