Prej tre ditësh, Tirana është duke u djegur (sot revolta ka përfshirë edhe disa qytete të tjera).
Gjasat janë që kjo gjëndje të vazhdojë edhe në ditët në vijim.
Protestuesit, po sulmojnë dhe shkatërrojnë jo vetëm institucionet shtetërore, por edhe bizneset private, madje po sulmohen edhe qytetarë të pafajshëm që kalojnë në rrugë.
Sot, askush nuk guxon të kalojë nga qendra e Tiranës, Blloku, “Rruga e Durrësit” etj, nga frika se ose mund të hanë ndonjë gur nga protestuesit, ose mund t’iu lëshohet policia me shkop kome e t’i çojë në komisariat.
Tirana papritur, është kthyer në qytetin më të pasigurtë në Europë, ku mund të rrezikosh edhe jetën.
Biznesin po se po.
Në gjithë këtë situatë, qetësia e Qeverisë dhe kryeministrit është e habitshme.
Edi Rama ka reaguar vetëm sot, për të thënë se nuk e jep dorëheqjen dhe se ata që kryejnë akte dhune, do të mbajnë përgjegjësi.
Por fjalët e tij kanë rënë në vesh të shurdhët.
Protestuesit jo vetëm që nuk janë frikësuar, por janë bërë edhe me agresivë dhe kanë shtuar sulmet ndaj institucioneve dhe bizneseve.
Policia nga ana tjetër, duket e pafuqishme për t’i ndaluar.
Ata godasin tek tuk ndonjë protestues me shkop gome, por vetëm kaq.
Tirana është në flakë, ndërsa Rama e ka lënë vetëm kryeqytetin.
Janë vetëm dhe pa mbrojtje, qyteti, qytetarët, dhe biznesi.
Kryministri këmbëngul të mos japë dorëheqjen, por nëse dëshiron të qendrojë në krye të Qeverisë, duhet të bëjë punën e tij.
Ndryshe nuk ka kuptim të qendrojë aty.
Sepse praktikisht, këto tre ditë, ai dhe Qeveria e tij kanë rënë.
Sot pushtetin e kanë protestuesit dhe Rama është thjesht një spektator.
Që, me apo pa qëllim, po sheh qytetin të digjet!















