
I dha tenderin fermerit të patateve , Vangjel Tavo harxhon milionat për fushatë të fshehur në Himarë nën logon e çeljes së sezonit dhe a do të verifikojë SPAK ?
Në prag të sezonit turistik 2025, kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo, duket se është përfshirë në një skandal financiar që ngre seriozisht dyshime për keqpërdorim të fondeve publike.

Prej disa ditësh, Tavo ka nisur të përdorë rreth 100 mijë euro të taksapaguesve për aktivitete të cilat, nën petkun e çeljes së sezonit veror, mund të vlerësohen si pjesë e një fushate të fshehtë elektorale.
Tenderi për organizimin e aktiviteteve kulturore në Himarë është fituar nga një bashkim i dy kompanive të vogla nga Pogradeci: “JOKLEN & CO” shpk, një firmë që operon kryesisht në fushën e shërbimeve funerale, skrapit dhe mirëmbajtjes së varrezave, dhe “SHBB ELIA BUZAHISHTE 1998”, një shoqëri bashkëpunimi bujqësor që merret me mbjelljen e patateve.
Kontrata është shënuar me “flamur të kuq” për parregullsi të theksuara: dy kompanitë konkurruan të vetme dhe fituan tenderin me një ofertë që arrinte 99.9% të fondit limit të përcaktuar, duke ngritur dyshime të forta për mungesë gare reale dhe favorizim.
Shuma e kontratës është nënshkruar për 9,973,000 lekë pa TVSH, shumë fare pranë fondit limit prej 9,983,333 lekë pa TVSH.
Situata absurde theksohet edhe më shumë nga profili i kompanisë kryesore fituese, “JOKLEN & CO”, e cila deri së fundmi kishte aktivitet kryesor ofrimin e shërbimeve të varrimit dhe tregtimin e skrapit, përpara se të shtonte në dokumentacion edhe organizimin e eventeve kulturore.
Ndërkohë, SPAK ka nisur hetime për abuzimet gjatë procesit zgjedhor në vend, dhe ky rast në Himarë mund të përbëjë një shembull të qartë ku fondet publike përdoren në mënyrë të paligjshme për përfitime politike.
Ekspertët ligjorë vlerëspjnë se veprime të tilla mund të përbëjnë shkelje të rëndë të legjislacionit mbi përdorimin e burimeve publike në prag të zgjedhjeve dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme të institucioneve të drejtësisë për të verifikuar nëse Tavo po kryen apo jo një shkelje.
Në një kohë kur qytetarët e Himarës përballen me sfida reale ekonomike dhe sociale, përdorimi i parave të tyre për interesa elektorale përbën një goditje të rëndë ndaj besimit publik dhe sundimit të ligjit./korrieri