
Me përfundimin e punimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, qeveria ka miratuar vendimin për hapjen e pikës së kalimit kufitar, duke e përafruar funksionimin e tij me standardet ndërkombëtare për qarkullimin ajror të pasagjerëve në hyrje dhe dalje nga Shqipëria.
Vendimi është miratuar në mbështetje të Kushtetutës dhe ligjit “Për kontrollin kufitar”, me propozimin e Ministrisë së Brendshme. Për zbatimin e tij janë ngarkuar katër ministri: Ministria e Brendshme, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Sipas vendimit të publikuar, pika kufitare në aeroport do të jetë funksionale menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe do të mundësojë kontrollin dhe përpunimin e pasagjerëve të huaj dhe shqiptarë që udhëtojnë përmes portës së re ajrore të jugut të Shqipërisë. Kjo lëvizje konsiderohet si një hap përpara për operacionalizimin e plotë të aeroportit dhe për forcimin e infrastrukturës turistike dhe ekonomike të rajonit.