
Policia e Fierit ka arrestuar një person të tretë në lidhje me vrasjen e 56-vjeçarit Anesti Rama, ngjarje e ndodhur disa ditë më parë në fshatin Frashër. Në pranga ka rënë Çlirim Dogani, 55 vjeç, nga Arapaji i Roskovecit, i dyshuar si bashkëpunëtor në krimin e rëndë që tronditi opinionin publik.
Sipas hetimeve të deritanishme, Dogani dyshohet se ka bashkëpunuar me vajzën e viktimës, 26-vjeçaren Emanilda Rama, për të mbytur babain e saj në banesë. Fillimisht, e reja ka njoftuar autoritetet se i ati kishte humbur jetën si pasojë e një rrëzimi në banjë, por hetimet e mëtejshme zbuluan elementë që ngritën dyshime për një vrasje të planifikuar.
Sipas policisë, viktima është mbytur me tel dhe është goditur me sende të forta dhe mjete prerëse. Përveç Emanilda Ramës, e cila tashmë ndodhet në paraburgim si autore e dyshuar e krimit për motive të dobëta, në pranga ka përfunduar edhe nëna e saj, Valbona Rama, e dyshuar për ndihmë në pastrimin e skenës së ngjarjes me qëllim fshehjen e provave.
Policia e Fierit njoftoi se hetimet intensive kanë bërë të mundur dokumentimin e rrethanave të plota të krimit. Materialet procedurale i janë referuar tashmë Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.