
Për të tretën ditë me radhë, Franca është në luftë me zjarrin më të madh në vend në gati 80 vite.
Zjarrfikësit janë përqendruar në rajonin jugor Aude, me flakët që kanë përfshirë një sipërfaqe më të madhe se Parisi.
Deri tani janë shkrumbuar dhjetëra shtëpi, duke detyruar banorët dhe turistët të largohen. Shumë rrugë janë të mbyllura.
Sipas informacioneve paraprake, mbi 16 mijë hektarë janë djegur nga zjarri i frikshëm.
Një person ka humbur jetën në Saint Laurent De La Cabrerisse (Son Loron de la Cabreris), tre janë zhdukur dhe disa të tjerë janë të lënduar.
Flakët po përhapen shumë shpejt dhe në këtë zonë janë angazhuar 2,000 zjarrfikës.
Mijëra familje vuajnë nga mungesa e energjisë elektrike.
Ministri i Brendshëm francez, Bruno Retailleau, në një reagim për këtë emergjencë tha se është sipërfaqja më e madhe e djegur nga një zjarr i vetëm në Francë që nga viti 1949.
Banorët thonë se gjithçka duket si apokalips.
Zjarri, rreth 100 kilometra nga kufiri me Spanjën, ka nisur të martën dhe po merr përmasa të jashtëzakonshme. Shkencëtarët thonë se verërat më të nxehta dhe më të thata në rajonin e Mesdheut e bëjnë atë më të rrezikuar nga zjarret.
Zyra meteorologjike e Francës ka paralajmëruar për një valë të re të të nxehtit që do të nisë në pjesë të tjera të jugut të Francës të premten dhe pritet të zgjasë disa ditë.