
Enver Bajraktari, i cili u gjet i groposur në fshatin Baicë të Lipjanit, dyshohet se është vrarë me mjete të forta përpara se të varrosej. Sipas asaj që bën me dije Prokuroria, është kryer autopsia e të ndjerit dhe se po zhvillohen hetime intensive për të zbuluar rrethanat e rastit të krimit të rëndë.
“Ju njoftojmë, se me datë 05/08/2025, është bërë identifikimi i plotë dhe ishte Enver Bajraktari, është kryer autopsia dhe janë në proces intensiv hetimet në këtë çështje, por detaje më të hollësishme nuk mund të japim në këtë fazë të hetimeve.”,thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Ngjarja e rëndë u regjistrua pak ditë më parë në Kosovë, teksa më 4 gusht u gjet trupi pajetë i Enver Bajraktarit. Ai u gjet i groposur në dy metra thellësi, në një arë me misër që ndodhet 1 kilometër larg shtëpisë së tij. Grupi që po kërkonte Enverin arriti ta gjente vendin ku ishte varrosur, duke ndjekur shenjat që tregonin se ai ishte tërhequr zvarrë deri në arën e mbjellë me misër. Autori dhe shkaqet e ngjarjes mbeten ende mister, ndërsa familjarët e viktimës kanë deklaruar se Enveri nuk kishte probleme apo konflikte me ndonjë person të caktuar.