
Mediat izraelite raportojnë për përplasje të ashpra mes shefit të shtabit të ushtrisë dhe anëtarëve të kabinetit të sigurisë gjatë një takimi 10-orësh, ku u miratua plani i kryeministrit Benjamin Netanyahu për zgjerimin e ofensivës ushtarake në Gaza.
Sipas portalit Ynet, gjenerali Eyal Zamir ka shprehur kundërshtimin e tij të fortë ndaj një pushtimi të plotë të Gazës, që në praktikë do të nënkuptonte një okupim të territorit.
Ai ka paralajmëruar për pasoja të rënda, përfshirë zhvendosjen e afër një milion palestinezëve që jetojnë në zonat që pritet të goditen dhe rrezikun për jetën e rreth 20 pengjeve që besohet se janë ende gjallë.
Gjenerali ka ngritur gjithashtu shqetësime për gjendjen e ushtrisë, e cila është e lodhur pas gati dy vitesh lufte, me rezervistë që janë angazhuar disa herë në Gaza.
Nuk është ende e qartë se kur do të nisë ofensiva, e cila pritet të zgjasë me muaj dhe do të kërkojë mobilizimin e mijëra ushtarëve dhe evakuimin e detyruar të civilëve, shumica e të cilëve janë zhvendosur tashmë disa herë.
Po ashtu ka frikë se zgjerimi i operacionit ushtarak do të sjellë më shumë viktima mes palestinezëve.
Sipas gazetës Ma’ariv, vlerësimi i përgjithshëm është se “shumica, ndoshta të gjitha pengjet e gjalla, do të humbin jetën” gjatë një ofensive të tillë, qoftë të vrarë nga rrëmbyesit apo nga vetë forcat izraelite në përleshje.
Marrja nën kontroll e qytetit të Gazës pritet të jetë hapi i parë në planin e Netanyahu-t për vendosjen e kontrollit ushtarak të plotë mbi enklavën. Në deklaratën zyrtare të zyrës së tij nuk është përdorur fjala “okupim”, që sipas Ynet është shmangur për arsye ligjore, pasi do të nënkuptonte përgjegjësi për mirëqenien e popullsisë civile.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se kjo nuk e ndryshon statusin ligjor ndërkombëtar.
Sipas të drejtës ndërkombëtare, një forcë pushtuese ka detyrime për të mbrojtur nevojat themelore të popullsisë lokale.