
Burnley ka firmosur me Armando Brojën (nga Chelsea) si transferim i përhershëm. Shqiptari u bashkua me Chelsea nga Tottenham në moshën 8-vjeçare, në vitin 2009, përpara se të kalonte nëpër akademinë e bluve të Londrës deri në ekipin e parë, ku regjistroi 38 paraqitje dhe shënoi 9 gola.
Megjithatë, Broja, ka pasur disa huazime larg Londrës perëndimore, më së fundi tek Everton, sezonin e kaluar.
Në prezantimin zyrtar, ai u shpreh i entuziazmuar për këtë hap të rëndësishëm:
“Është ndjesi fantastike të jem këtu. Mezi pres të filloj stërvitjet, të takoj lojtarët dhe tifozët. Burnley është një klub i mrekullueshëm, me ambient familjar dhe me shumë talente të rinj. Kjo është një mundësi e madhe për mua të rritem si lojtar dhe si person,” – tha Broja.
Sulmuesi theksoi rolin vendimtar që pati trajneri Scott Parker në vendimin e tij për t’u bashkuar me klubin:
“Trajneri është një person i shkëlqyer, shumë i lehtë për të komunikuar, por edhe kërkues. Më ka bërë të ndihem si në shtëpi që nga dita e parë. Kjo ishte një arsye e madhe për të ardhur këtu.”
Broja pritet të debutojë javën e ardhshme në ndeshjen hapëse të sezonit të Premier League ndaj Tottenham-it, një përballje që për të ka edhe një dozë simbolike për shkak të të kaluarës së tij te Chelsea.
Mesazhi i tij për tifozët e Burnley ishte i qartë:
“Faleminderit për mbështetjen që më keni treguar që para se të vija. Jam i entuziazmuar të jem këtu dhe mezi pres t’i gëzoj tifozët me gola dhe paraqitje të mira.”
Ky transferim shihet si një lëvizje strategjike e Burnley-t për të forcuar repartin ofensiv, ndërsa klubi rikthehet në Premier League me synime të qarta për të qëndruar mes më të mirëve.