
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka realizuar një goditje të rëndësishme ndaj një organizate kriminale shqiptare, e cila thuhet se kontrollonte trafikun e kokainës në tregun evropian. Hetimet intensive, në bashkëpunim me EUROPOL dhe autoritetet ligjzbatuese nga Belgjika, Franca, Holanda, Gjermania dhe Italia, kanë zbuluar dërgesa shumë-tonëshe kokainë nga Amerika Latine drejt porteve kryesore të BE-së, përfshirë Hamburgun, Anvers etj. Organizata kriminale që ka tentuar të trafikojë në Evropë rreth 17 ton kokainë, operonte në një shkallë globale, duke bashkëpunuar me grupe të tjera kriminale për të lehtësuar transportet drejt porteve evropiane dhe investonte fitimet e mëdha në prona dhe biznese në Shqipëri dhe jashtë saj.
Bazuar në hetime, ngarkesat e kokainës siguroheshin nga drejtuesi i organizatës Ervis Çela. Lënda narkotike fshihej në mënyrë të sofistikuar në ngarkesa legale, kuti sapuni, bombola boje dhe kollose ndërtimi, të maskuara në marka të ndryshme tregtare. Bëhet me dije se po ashtu, grupi kishte arritur të përdorte edhe aviona privat charter për transportin e drogës.
“Ngarkesat e mëdha të kokainës siguroheshin direkt nga prodhuesit nga drejtuesi i organizatës E. Ç. (i cili së bashku me vëllanë e tij A. Ç. ishin vendosur në Paraguai), magazinoheshin dhe bëheshin gati për transport në Paraguai. Lënda narkotike fshihej në mënyrë të sofistikuar në ngarkesa legale – kuti sapuni, bombola boje dhe kollose ndërtimi – të maskuara me marka tregtare si “Fox” apo me shenja të veçanta dalluese si “Puma” ose “sy me rrufe”. Këto ngarkesa transportoheshin me kontejnerë detarë nga portet e Amerikës së Jugut drejt porteve të mëdha evropiane, kryesisht Anvers (Belgjikë) dhe Hamburgu (Gjermani), ku më pas shpërndaheshin përmes rrjeteve të brendshme të tregut të drogës në BE.”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Disa nga personat e proçeduar:
Arrest me burg në Shqipëri:
1. Ervis Çela
2. Ardian Çela
3. Albin Çela
4. Petrit Lakatos
5. Renato Musa
6. Gert Çerma
7. Miklovan Mullai
Detyrim paraqitje:
8. Dition Pepa
9. Kujtim GjylaI
Arrestuar në BE
10. Franc Gegeli (alias Franc Copja)
Në kërkim
1. Fadil alias Jul Balla
2. Petrit Sulejmani alias Lakatos
3. Mariglen Kamami
4. Denis Daja
5. Vilson Pepa
6. Riza Çela
SPAK ka goditur grupin kriminal “Çopja” që trafikonte lëndë narkotike nga vendet e Amerikës Latine drejt Evropës. Në kuadër të këtij operacioni, SPAK ka nxjerrë urdhër-arreste për 16 persona, nga të cilët 14 janë me masë arrest me burg dhe 2 me detyrim paraqitje. Deri tani, 7 prej tyre janë arrestuar në Shqipëri, ndërsa një drejtues i rëndësishëm ndodhet i arrestuar në një vend të Bashkimit Evropian.