
Prokuroria Speciale e Shqipërisë (SPAK) pak javë më parë kishte në shënjestër një grup kriminal me qendër të Zvicrës. Klani kriminal shqiptar dyshohet se ka pastruar paratë e drogës për vite me radhë përmes një agjencie udhëtimesh në Lucernë.
Sipas medias zvicerane, shtatorin e kaluar, Zyra e Prokurorit Federal Zviceran arrestoi 6 persona me dyshimet se ishin pjesë e një organizate kriminale që merrej me pastrim parash dhe trafik droge. Katër prej këtyre individëve ishin të lidhur me një agjenci udhëtimesh në Lucernë. Një i pestë punonte si korrier parash dhe shofer.
Bankë e fshehtë
Duke përdorur të ashtuquajturin sistem bankar “hawala”, klani ka transferuar miliona nga Zvicra në Kosovë dhe Shqipëri. Por si funksionon saktësisht ky sistem? Dhe si e gjurmoi prokuroria e Shqipërisë klanin kriminal? Sistemi bankar “Hawala” është një sistem informal i transferimit të parave i bazuar në besim, i cili po fiton rëndësi edhe në Zvicër. Sistemi zakonisht vepron tërësisht jashtë strukturave zyrtare financiare dhe për këtë arsye është i vështirë për t’u kontrolluar, duke e bërë atë një mjet të njohur për pastrim parash dhe transaksione të paligjshme.
Si funksionon sistemi bankar “Hawala” në Zvicër?
Për shembull, dikush që dëshiron të dërgojë para nga Lucerna në Shqipëri kërkon një të ashtuquajtur “hawaladar”. Ky është një ndërmjetës parash informal, i cili shpesh drejton një biznes të ligjshëm, siç është një agjenci udhëtimesh, restorant ose dyqan. Paratë dorëzohen në para të gatshme dhe “hawaladari” i jep dërguesit një kod numerik, i cili më pas i komunikohet marrësit në vendin e destinacionit. Në të njëjtën kohë, “hawaladari” i Lucernës kontakton partnerin e tij të biznesit në Shqipëri, i cili, pasi i jepet kodi numerik, ia shpërndan paratë marrësit në monedhën vendase – shpesh në të njëjtën ditë.
Asnjë faturë ose provë
Dallimet zgjidhen më vonë midis “hawaladarëve”, për shembull, përmes transaksioneve tregtare ose dërgesave të ndara, të cilat shpesh nuk mund të gjurmohen. As marrësi dhe as burimi i dërgesës nuk kërkohet të paraqesin identifikim, nuk ka fatura ose prova zyrtare – dhe për këtë arsye vështirë se ka ndonjë pistë për autoritetet hetuese.
Megjithatë, muaj të tërë mbikëqyrjeje zbuluan makinacionet e klanit shqiptar. Çelësi i kësaj ishte agjencia e udhëtimit në Lucernë, e cila shërbente si një pikë qendrore kontakti për transfertat informale të parave. Pamjet e kamerave të sigurisë tregonin korrierë parash që linin ose merrnin vazhdimisht shuma të mëdha parash atje. Bisedat telefonike zbuluan prova inkriminuese pasi gjithë kohës anëtarët e grupit flisnin për shuma të mëdha parash, binin dakord për orare specifike për transfertat e parave dhe e përdornin agjencinë e udhëtimit si një qendër takimi.
Më 20 korrik, SPAK njoftoi arrestimin e Burim Ferizaj dhe Përparim Kalbaj. Ndërkohë që në kuadër të këtij hetimi, në Zvicër është arrestuar edhe Ervis Ferizaj. Të arrestuarit kanë transferuar dhe kanë transportuar nga Zvicra për në Shqipëri, sasi të konsiderueshme të parave që kanë pasur si burim të origjinës së tyre trafikun e drogës, por nuk kanë bërë me dije një shifër konkrete për sa para bëhet fjalë. Trafiku i drogës bëhej në Zvicër por edhe në disa vende të tjera. Kalimi i parave përmes këtij sistemi ka nisur të paktën që prej vitit 2020 e deri më sot. Por përmendet se shumat e parave që kanë ardhur në vendin tonë mund të kenë kapur miliona euro.