
Doksan Dushku, i dënuar me 16 vite burg për vrasjen me kallashnikov të vajzës së tij shtatzënë në maj 2014 në fshatin Sllatinë të Dibrës, kërkon ulje të dënimit në Gjykatën e Lartë.
Dushku ka paraqitur sot një kërkesë në Gjykatën e Lartë përmes së cilës kërkon shfuqizim të vendimit të Shkallës së Parë dhe Apelit të Gjykatës për Krimet e Rënda, për shkak të shfuqizimit nga Kushtetuesja të një paragrafi të nenit për bashkimin e dënimeve në Kodin e Procedurës Penale.
Aktualisht 80-vjeçari Dushku është duke vuajtur dënimin me 24 vjet burg, që nga gjykimi i shkurtuar u ul në 16.
Përfundimisht ai kërkon një dënim me 21 vite burg, që nga gjykimi i shkurtuar shkon në 14 vjet.
Nëse kërkesa e tij pranohet, Doksan Dushkut nuk i mbetet më aq shumë kohë për të qëndruar në qeli, për shkak se ka bërë 11 vite në burg deri më tani.
Ngjarja e rëndë ndodhi 11 vite më parë në fshatin Sllatinë (Komuna Sllovë) të Dibrës.
Fillimisht u raportua se 21-vjeçarja Fatmira Dushku kishte gjetur vdekjen për shkaqe natyrore, por pas ekspertizës mjeko-ligjore rezultoi se vajza ishte qëlluar me breshëri kallashnikovi në pjesën e kraharorit.
Policia arrestoi babain e vajzës dhe dy vëllezërit e saj, në momentin që këta të fundit po i drejtoheshin varrezave të fshatit për të kryer ceremoninë mortore.
Asokohe, Doksan Dushku pranoi se kishte shtënë me armë ndaj vajzës së saj pasi mori kishte marrë vesh se ajo ishte shtatzënë.
Dushku u tha hetuesve se vajza kishte shkelur nderin e familjes dhe për këtë arsye ai kishte vendosur ta vriste.