
Vrasja me thikë e 14 vjeçarit Erald Xhejo nga fshati Zvirinë të Maliqit ka tronditur opinionin publik. Banorë të zonës, të cilët shkuan për ngushëllime në banesën e të miturit, thonë se ishte një djalë i shkëlqyer.
“Familjen e njoh, e rregullt, djalë i shkëlqyer. Kalonte në rrugë dhe të respektonte në një mënyrë të atillë. Se si ndodhi kjo të lë pa fjalë fare. Ka dy çuna familja.”, u shpreh një banor.
E tronditur nga ngjarja u shpreh një tjetër banore që tha se po shkon për ngushëllime te familja.
“Se dinim fare, sot më mori djali. Tani do të shkoj te familja, jemi miq. Na ka tronditur ngjarja.”, shtoi një grua.
Ishte djalë kapedan, shton një banor tjetër, duke shtuar se kishte moshën e nipit të tij.
“Ishte djalë kapedan. Çfarë të them më tepër. Jam shumë i tronditur, në moshën e nipit tim. “
Ngjarja e rëndë u shënua në ambientet e jashtme të një lokali në fshatin Pirg. 14-vjeçari ndërroi jetë si pasojë e goditjes në zemër. Autori bashkëmoshatar u arrestua bashkë me babain, xhaxhain, një 34-vjeçar si edhe katër të mitur të tjerë që ishin prezent në ngjarje. Ndaj të miturit rëndon akuza e vrasjes me dashje dhe drejtim mjeti në mënyrë të parregullt.