
Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e sotme në fshatin Çinar, njësia administrative Fier Shegan, bashkia Lushnje, ku një banesë është përfshirë nga flakët rreth orës 17:00.
Në momentin kur ka rënë zjarri, në banesë nuk ndodhej asnjë pjesëtar i familjes Hatisë, pasi të gjithë ishin në punë bujqësore. Kanë qenë fqinjët ata që kanë parë tym të dendur dhe kanë njoftuar menjëherë zjarrfikësit si dhe të zotin e shtëpisë.
Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të zjarrfikësve të Lushnjës dhe përpjekjeve të banorëve të lagjes me mjete rrethanore, flakët kanë përpirë të gjithë banesën. Asnjë orendi nuk ka mundur të shpëtojë; gjithçka është shkrumbuar, duke lënë vetëm muret anësore në këmbë.
Familja e Besnik Hatisë ka mbetur në qiell të hapur, pa asnjë strehë mbi kokë.
Sipas zjarrfikësve në vendngjarje, dyshohet se zjarri është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike. Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes janë në vijim.