TIRANË — Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar sot një reformë të thellë në fushën e ndërtimit, duke shpallur ndryshime të reja ligjore dhe penale që synojnë t’i japin fund fenomenit të ndërtimeve pa leje dhe abuzimeve me territorin.
Në një konferencë të gjerë për mediat, ku morën pjesë edhe ministri i drejtësisë Besfort Lamallari dhe ministrja e brendshme Albana Koçiu, kreu i qeverisë prezantoi paketën e masave që sipas tij do të shërbejë për “disiplinimin e plotë të sektorit të ndërtimit” dhe mbrojtjen e interesit publik.
Lista e zezë dhe konfiskimi i pronave
Rama njoftoi krijimin e një liste të zezë ku do të përfshihen të gjithë ndërtuesit që shkelin lejen e ndërtimit. Jo vetëm kompanitë, por edhe individët, ortakët, administratorët dhe pronarët përfitues që përfshihen në shkelje, do të përjashtohen për një periudhë 5-vjeçare nga marrja e çdo leje të re ndërtimi. Regjistri do të jetë publik dhe i aksesueshëm online.
Ai paralajmëroi gjithashtu konfiskime të menjëhershme:
-
Deri në 10% tejkalim të lejes, konfiskohet vetëm pjesa shtesë, që mund të shfrytëzohet për zyra publike ose strehim social.
-
Mbi 10% shkelje, konfiskohet totalisht objekti.
Hyrja në banesë vetëm me hipotekë
Një nga ndryshimet më të forta është ndalimi i hyrjes në apartamente pa certifikatën e pronësisë. Rama tha se asnjë qytetar nuk do të lejohet të hyjë në banesën e re, nëse ndërtuesi nuk ka përfunduar procesin e hipotekimit. Po ashtu, objektet pa certifikatë përdorimi nuk do të lidhen me energji elektrike apo ujë, duke mos i dhënë më hapësirë kontratave fiktive.
Masa të rrepta për punonjësit e shtetit
Kryeministri theksoi se fenomeni i ndërtimeve pa leje është nxitur shpesh nga vetë zyrtarët publikë. Për këtë arsye, çdo punonjës shteti që kapet duke ndërtuar pa leje do të përjashtohet për 7 vite nga administrata publike, ndërsa rastet e rënda do të kenë edhe pasoja penale.
“Sporti i ndërtimit pa leje ka qenë sport kombëtar. Nëse një punonjës shteti kapet në shkelje, jo vetëm që do të largohet nga puna, por do të ndalohet të punojë në shtet për shtatë vite rresht,” tha Rama.
Ndryshimet në Kodin Penal
Paketa përfshin edhe ndryshime në Kodin Penal. Sipas Ramës, çdo zënie e tokës pa leje, qoftë për ndërtim apo për parkingje, do të dënohet me burg. Kur shkelja ndodh në zona të mbrojtura, pranë monumenteve të kulturës apo objekteve të trashëgimisë, dënimet do të jenë edhe më të rënda. Për punonjësit e shtetit që mbyllin sytë ndaj shkeljeve, penalitetet do të jenë të dyfishta.
Kamera në çdo kantier dhe detyrim për gjelbërim
Një tjetër risí është vendosja e kamerave në çdo kantier ndërtimi, që do të monitorohen në kohë reale nga Këshilli Kombëtar i Territorit. Përveç kësaj, ndërtuesit do të detyrohen të mbjellin pemë në raport me sipërfaqen e ndërtuar, duke kontribuar në një fond të gjelbër kombëtar.
Agjencia e re për strehimin dhe planifikimin urban
Rama bëri të ditur gjithashtu krijimin e një agjencie kombëtare për planifikimin urban dhe strehimin, që do të merret me politikat e reja të banesave, duke synuar lehtësira për kategori të caktuara qytetarësh.
“Dorë e hekurt” ndaj abuzimeve
Kryeministri u shpreh se kjo reformë nuk është vetëm për të ndëshkuar ndërtuesit, por për të vendosur rregulla të qarta dhe të barabarta. Ai theksoi se do të ketë fund edhe për bizneset që hapen në mënyrë të paligjshme në katet e para të pallateve dhe që shkaktojnë zhurmë apo cënojnë komunitetin.
“Kush shkel ligjin, do ta ndjejë dorën e hekurt të shtetit,” deklaroi Rama, duke shtuar se kjo reformë do të shtrihet në të gjithë territorin dhe nuk do të kursejë askënd. /korrieri
















