Një krim i rëndë brenda familjes ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në fshatin Zhymë të Lushnjës, ku një 45-vjeçar dyshohet se ka vrarë nënën dhe ka plagosur rëndë babanë e tij.
Sipas Policisë, ngjarja u regjistrua rreth orës 21:20, brenda banesës së familjes Dalladaku.
Florion Dalladaku dyshohet se, për motive ende të paqarta, goditi me një sqepar nënën e tij, Fanije Dalladaku, 80 vjeçe. E moshuara nuk mundi t’u mbijetonte plagëve dhe humbi jetën.
Gjatë sulmit mbeti i plagosur rëndë edhe babai i 45-vjeçarit, Hasan Dalladaku, 77 vjeç. Ai është transportuar në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Pas ngjarjes, i dyshuari u largua nga banesa. Policia ka nisur kontrolle për lokalizimin dhe arrestimin e tij.
Sipas autoriteteve, 45-vjeçari dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor, ndërsa ende nuk dihen shkaqet që çuan në krimin e rëndë.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për të dokumentuar plotësisht rrethanat e ngjarjes.
















