E martë, 25 Gusht, 2026
Gazeta Korrieri
  • Kreu
  • Aktualitet
  • Fokus
  • Investigim
  • SPAK News
  • Botë
  • Show Bizz
Nuk u gjet asnjë rezultat
Shfaq të gjitha rezultatet
Gazeta Korrieri
  • Kreu
  • Aktualitet
  • Fokus
  • Investigim
  • SPAK News
  • Botë
  • Show Bizz
Nuk u gjet asnjë rezultat
Shfaq të gjitha rezultatet
Gazeta Korrieri
Nuk u gjet asnjë rezultat
Shfaq të gjitha rezultatet
Kreu Aktualitet

Paratë e krimit pas bumit turistik në bregdetin shqiptar

Korrieri nga Korrieri
25.08.2026
në Aktualitet, Fokus
A A
Paratë e krimit pas bumit turistik në bregdetin shqiptar
103
NDARJE
10.3k
SHIKIME
Ndaje në FacebookNdaje në WhatsApp

Në mes të gushtit, Ksamili është një nga vendet më të mbipopulluara të Shqipërisë. Rrugët e fshatit mbushen me makina me targa të huaja, muzika nga baret vazhdon deri në orët e para të mëngjesit dhe plazhet e vogla përballë ishujve – të rrethuara nga hotele, restorante dhe klube, konkurrojnë për turistët e ardhur nga e gjithë Europa.

Luis Miguel Varela Mendes ishte një prej tyre.

Portugezi 20-vjeçar kishte ardhur në Shqipëri për pushime, si pjesë e një grupi miqsh. Në orët e para të 18 gushtit, ai ndodhej në “Tortuga Bay”, e njohur edhe si “Principotes”, një strukturë turistike luksoze përballë tre ishujve të Ksamilit.

Rreth orës 05:15, pas një konflikti me disa persona, Mendes u qëllua me thikë për vdekje.

Në internet, kompleksi Principotes e përshkruan veten me shprehjen “Mikpritja si art”. Por pas vrasjes, një tjetër realitet filloi të dalë në sipërfaqe për hotelin dhe pronarin e tij.

Sipas të dhënave në Qendrën Kombëtare të Biznesit, struktura dhe aktiviteti zotërohen nga Kade Bulica, një grua 76-vjeçare. Ajo është nëna e Bekim Bulicës, 36 vjeç, i cili pas ngjarjes u shpall në kërkim për “moskallëzim krimi”. Ekstrakti i kompanisë tregon se Bulica e kishte regjistruar aktivitetin në janar të vitit 2022, me një kapital fillestar prej 100 mijë lekësh.

Djali i saj ishte i njohur për policinë.

Drejtori i Policisë së Vlorës, Edvin Ndreu, i tha BIRN se Bekim Bulica ishte proceduar për krime ndaj personit, pasi ishte përfshirë më parë në dhunimin e një punonjësi policie dhe vëllait të tij në Tiranë. Ai rezulton të ketë pasur edhe probleme të tjera me drejtësinë.

Për sigurinë e “Principote”, e ëma e Bulicës kishte punësuar një punonjës të Policisë Kufitare të Gjirokastrës, një punonjës të Policisë së Burgjeve Fier dhe një punonjës të Policisë Bashkiake Gjirokastër, ndërsa një person i katërt punonte si truprojë.

Kur shpërtheu konflikti që përfundoi me vrasjen e Mendes, ata ishin aty.

Sipas policisë, nuk ndërhynë dhe nuk njoftuan autoritetet. Të katërt u ndaluan për moskallëzim krimi dhe mosmarrjen e masave për ndalimin e paligjshmërisë.

Ekspertë të sigurisë dhe turizmit thonë se rasti i Ksamilit ngre pikëpyetje më të gjera mbi kontrollin e personave dhe burimin e parave që qëndrojnë pas investimeve turistike që po transformojnë bregdetin shqiptar.

Kërcënim për rendin e sigurinë

Për vite me radhë, bregdeti shqiptar ka qenë një kantier i madh ndërtimi. Hotele të rinj, resorte, apartamente, beach bare dhe restorante janë ngritur nga Velipoja në Ksamil. Administrimi i resorteve apo strukturave turistike nga persona me precedentë penalë apo nga anëtarë të krimit të organizuar vlerësohet nga ekspertët si një kërcënim për rendin dhe sigurinë publike.

“Këto ambiente shpesh kthehen në baza operacionale logjistike, ku mbajtja pa leje e armëve, fshehja e personave në kërkim dhe përplasjet mes grupeve rivale transferohen brenda hapësirave publike e turistike”, shprehet ish-prokurori Eugen Beçi, duke i cilësuar këto ambiente si ‘zona të pambrojtura juridikisht’.

Sipas tij, ngjarjet e rënda në ambiente akomoduese nuk janë thjesht krime të izoluara, por ekspozim i drejtpërdrejtë i qytetarëve dhe turistëve ndaj rrezikut për jetën, me kosto të rëndë për rendin dhe ekonominë e vendit.

Redion Qirjazi, drejtori ekzekutiv i fondacionit “Mary Ward Loreto”, një organizatë jofitimprurëse me veprimtari në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe mbrojtjen e viktimave të këtij aktiviteti kriminal, konstaton se biznese të mëdha turistike kanë krijuar “zona jashtëligjshmërie” në vendin tonë.

“Këto struktura, sipas raportimeve dhe evidentimit të vetë SPAK, funksionojnë jo vetëm si biznese por edhe si territore nën kontrollin e grupeve të strukturuara kriminale,” tha Qirjazi.

Sipas tij ngjarja tragjike e Ksamilit ku u vra turisti portugez, tregon se personeli është i pakualifikuar dhe në disa raste sillet si një ‘polici private’ e dhunshme që zëvendëson shtetin.

“Këtë ‘guxim’ këto njësi mund ta përftojnë vetëm nëse besojnë se mund të veprojnë mbi ligjin”, shprehet ai.

Qirjazi vëren se në këto ngjarje ka edhe komprometim të strukturave shtetërore.

“Përfshirja e punonjësve të policisë apo burgjeve që punojnë si sigurim privat në këto hotele dhe klube (për arsye financiare apo të tjera), komprometon profesionalizmin dhe integritetin e punonjësve të shtetit, duke vënë në pikëpyetje serioze aftësinë e tyre për të zbatuar ligjin, kur kjo e fundit ndikon drejtpërsëdrejti në biznesin e punëdhënësit të tyre privat”, thekson ai dhe shton se këto rrethana tregojnë paaftësinë e Policisë së Shtetit për të monitoruar radhët e saj në ushtrimin e punëve të dyta në pozicione që nuk janë të lejuara.

Sipas Qirjazit, ngjarje të tilla cenojnë rëndë imazhin e sigurisë dhe turizmit, largojnë investitorët e huaj seriozë dhe rrezikojnë të sjellin paralajmërime udhëtimi nga vendet e BE-së. “Krimi i zakonshëm ndodh kudo, por krimi i rëndë lë impakt të pakthyeshëm në imazhin e vendit”, pohoi ai.

Krimi i organizuar në turizëm

Në bilancet e SPAK për pasuritë e sekuestruara anëtarëve të krimit të organizuar dhe personave të lidhur me ta, një numër të konsiderueshëm e zënë hotelet, që gjenden kryesisht në bregdetin shqiptar. Vetëm për shtatë muajt e vitit 2026, u raportua nga SPAK se janë vendosur sekuestro preventive mbi pasuri me vlerë 440 milionë euro, që dyshohet se janë krijuar me burime financiare të përfituara nga veprimtari të paligjshme, kryesisht nga trafiku ndërkombëtar i lëndëve narkotike.

Sipas ish-prokurorit Eugen Beçi, sektori i turizmit dhe ndërtimit ofron terrenin ideal për pastrimin e produkteve të veprës penale. Sipas tij, arsyet janë krejtësisht praktike dhe kanë të bëjnë me qarkullimin e lartë të parasë fizike (cash), si dhe me volumin e madh sezonal që lejon justifikimin e të ardhurave të padeklaruara përmes faturimeve fiktive ose rritjes artificiale të xhiros ditore.

“Ndërtimi i resorteve dhe hoteleve mundëson futjen e parave të pista në ciklin ligjor ekonomik, duke kaluar nga paraja informale në asete të paluajtshme me vlerë të lartë tregtare”, shprehet Beçi.

Ai shton se shkaku tjetër pse krimi i organizuar investon në këtë sektor janë edhe avantazhet për ngritjen dhe administrimin e tyre lehtësisht nga persona të lidhur apo me emra fiktivë, duke krijuar barriera ligjore për gjurmimin e pronarit përfitues real.

Eva Rama, kryetarja e Shoqatës Shqiptare të Operatorëve Turistikë, ATOA, shprehet se, megjithëse ngjarje të veçuara si ajo në Ksamil ndikojnë në sektorin e turizmit, ato nuk duhet të përdoren për të përgjithësuar një sektor të tërë.

Sipas saj, shqetësuese për turizmin është kur strukturat turistike rezultojnë të zotërohen apo kontrollohen nga persona të lidhur me veprimtari kriminale.

“Në këtë pikë nuk kemi më vetëm një çështje të rendit apo një ngjarje kriminale të ndodhur në një hotel, por një problem që prek edhe besueshmërinë dhe imazhin e sektorit”, shprehet ajo dhe nënvizon se turizmi është veçanërisht i ndjeshëm ndaj perceptimit të sigurisë.

“Kur një destinacion fillon të shoqërohet me ngjarje të rënda kriminale dhe me struktura të lidhura me persona me të kaluar kriminale, kjo padyshim nuk i shërben imazhit që Shqipëria kërkon të ndërtojë si destinacion turistik”, pohon Rama dhe rendit disa probleme që shfaqen si pasojë e zotërimit të aseteve turistike nga ana e krimit të organizuar.

Sipas Ramës, një realitet i tillë deformon konkurrencën, pasi bizneset që punojnë me kapital të ligjshëm nuk konkurrojnë në të njëjtat kushte me struktura ku mund të qarkullojë kapital me origjinë kriminale.

Ajo vlerëson se kjo cenon besimin te tregu dhe te vetë investimet në turizëm. “Kur raste të tilla bëhen të përsëritura dhe marrin vëmendje publike apo ndërkombëtare, ndikojnë edhe në perceptimin e sigurisë dhe në imazhin e Shqipërisë si destinacion”, konstaton Rama.

Mejgithatë, Rezart Shehu, konsulent për menaxhimin e strukturave turistike, e cilëson ngjarjen e 18 gushtit si të izoluar.

“Bëhet fjalë për një ngjarje shumë të rëndë, por në këndvështrimin tim duhet trajtuar si një ngjarje e izoluar, dhe jo si një tregues se turizmi shqiptar në tërësi është i pasigurt,” tha Sheu.

“Ngjarje kriminale ndodhin edhe në destinacione të tjera turistike të rajonit dhe të Europës dhe kjo nuk do të thotë automatikisht se i gjithë sektori turistik i atij vendi është problematik”, shtoi ai.

Shehu fajëson institucionet shtetërore për investimet e fondeve me prejardhje të paligjshme në sektorin e turizmit.

“Nëse ekzistojnë indicie apo të dhëna që lidhen me burimin e pasurisë, aktivitetin kriminal ose përdorimin e biznesit për qëllime të paligjshme, institucionet duhet të kenë kapacitetin dhe mekanizmat për ta evidentuar dhe kontrolluar këtë situatë,” tha ai.

“Përndryshe krijohet një hapësirë ku kapitali me origjinë të dyshimtë mund të investohet dhe të pastrohet përmes sektorëve me rritje të shpejtë, përfshirë edhe turizmin”, nënvizon Shehu.

Masat e munguara

Sipas ekspertëve, institucionet shtetërore duhet të verifikojnë burimet e vlerave financiare që investohen në sektorin e turizmit, si dhe në çdo sektor tjetër.

“Ministria e Turizmit dhe Policia e Shtetit duhet të bashkëpunojnë me SPAK për të kryer një kontroll të rreptë të origjinës së kapitalit përpara dhënies së çdo licence për hotele apo plazhe”, thotë Qirjazi dhe vlerëson se duhet të merren masa për të mos lejuar që punonjësit e Policisë së Shtetit të punojnë për sigurinë fizike në biznese private, si dhe të reformohen strukturat e policive private.

Sipas tij, është e nevojshme që të forcohen masat në rastet kur ka paligjshmëri, deri në bllokimin e llogarive dhe heqjen e licencës për arsye të cenimit të sigurisë publike.

Edhe ish-prokurori Eugen Beçi vlerëson se përballja me këtë fenomen kërkon ndërhyrje të koordinuar ndërmjet hetimit pasuror dhe kontrollit administrativ në terren.

“Hetimet pasurore nuk duhet të nisin vetëm pas ngjarjeve me armë, por si hetim proaktiv paralel për çdo investim madhor ku profili financiar i investitorit nuk përputhet me të ardhurat e ligjshme të deklaruara”, vëren ai.

Sipas Beçit, është e nevojshme të ketë verifikim të thelluar nga Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe tatimet; filtër ligjor për licencat turistike përmes një vendimi administrativ me kritere të forta integriteti; si dhe një kontroll të shtuar policor mbi sigurinë e mjediseve.

Institucionet shtetërore fajësohen si përgjegjëse për situatën e krijuar edhe prej ekspertëve të sektorit të turizmit.

“Kontrolli duhet të fillojë që te transparenca e pronësisë reale dhe burimi i financimit, veçanërisht për investimet e mëdha dhe të vazhdojë me kontrollin fiskal dhe zbatimin real të legjislacionit kundër pastrimit të parave,” pohon kryetarja e ATOA, Eva Rama.

“Shteti i ka instrumentet për ta bërë këtë; çështja është që ato të funksionojnë dhe të zbatohen njësoj për të gjithë”, shtoi ajo.

Edhe sipas Shehut, turizmi shqiptar ka nevojë për më shumë profesionalizëm institucional, zbatim të barabartë të ligjit, transparencë dhe mbështetje në infrastrukturë.

Sipas tij, kjo do të mbronte jo vetëm turistët, por edhe operatorët korrektë që investojnë dhe punojnë çdo ditë për të zhvilluar imazhin e Shqipërisë si një destinacion turistik./BIRN

Para

Drogë në kutitë e makaronave – Zbardhen detajet, ja kush ia çoi në burg Oltjon Asllanit

Pas

U arrestua për spiunazh, Fatmir Sheholli i dha 1 mijë euro Milaim Zekës për të publikuar materiale nga shërbimi sekret serb

Nga Kategoria

“Ethet e Nilit” në Korçë, a duhet të kemi frikë? – ISHP: Virusi nuk transmetohet nga njeriu tek njeriu, por vetëm nga mushkonjat
Aktualitet

“Ethet e Nilit” në Korçë, a duhet të kemi frikë? – ISHP: Virusi nuk transmetohet nga njeriu tek njeriu, por vetëm nga mushkonjat

25.08.2026
10.3k
U arrestua për spiunazh, Fatmir Sheholli i dha 1 mijë euro Milaim Zekës për të publikuar materiale nga shërbimi sekret serb
Aktualitet

U arrestua për spiunazh, Fatmir Sheholli i dha 1 mijë euro Milaim Zekës për të publikuar materiale nga shërbimi sekret serb

25.08.2026
10.3k
Të burgosur nga Belgjika së shpejti në burgjet e Kosovës?
Aktualitet

Drogë në kutitë e makaronave – Zbardhen detajet, ja kush ia çoi në burg Oltjon Asllanit

25.08.2026
10.3k
‘Pasqyrë Albania’ – Rama: Qytetarët do t’i ndjekin ankesat në kohë reale, do dihet kush i mban peng
Aktualitet

‘Pasqyrë Albania’ – Rama: Qytetarët do t’i ndjekin ankesat në kohë reale, do dihet kush i mban peng

25.08.2026
10.3k

Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Të Përzgjedhura

‘Pasqyrë Albania’ – Rama: Qytetarët do t’i ndjekin ankesat në kohë reale, do dihet kush i mban peng

‘Pasqyrë Albania’ – Rama: Qytetarët do t’i ndjekin ankesat në kohë reale, do dihet kush i mban peng

25.08.2026
10.3k
Visi i garave dhunoi dhe kërcënoi gruan me armë, si e arrestoi policia

Visi i garave dhunoi dhe kërcënoi gruan me armë, si e arrestoi policia

23.08.2026
10.4k
Paratë e krimit pas bumit turistik në bregdetin shqiptar

Paratë e krimit pas bumit turistik në bregdetin shqiptar

25.08.2026
10.3k
Vrasja e turistit portugez në Ksamil, “Principote Mykonos” distancohet nga lokali: Nuk kemi asnjë lidhje, po përdorin ilegalisht emrin tonë

Vrasja e turistit portugez në Ksamil, “Principote Mykonos” distancohet nga lokali: Nuk kemi asnjë lidhje, po përdorin ilegalisht emrin tonë

21.08.2026
10.4k
Çelniku e zgjidhi hallin, por çfarë të bëjnë të tjerët që nuk i luten dot Ramës për rrugën?!

Çelniku e zgjidhi hallin, por çfarë të bëjnë të tjerët që nuk i luten dot Ramës për rrugën?!

24.08.2026
10.4k
Si u mashtrua Kambisti në Tiranën nën emrin e Bashkim Ulajt

Si u mashtrua Kambisti në Tiranën nën emrin e Bashkim Ulajt

24.08.2026
10.4k

Boom-i Javës

Rama sulmon protestuesit nga Thethi: Sharlatanë, delirantë dhe ekstremistë, që kundërshtojnë investimet e huaja

Rama gati largimet, po i mbledh ministrat në Pogradec t’u japë lajmin e keq

21.08.2026
10.5k
Nga Dhërmiu po fryn erë shkarkimesh: Rama përgatit furtunën në qeveri dhe administratë

Nga Dhërmiu po fryn erë shkarkimesh: Rama përgatit furtunën në qeveri dhe administratë

20.08.2026
10.4k
“Jemi me zemër të thyer”, shkolla në zi për 15-vjeçarin Alvi Muhaxhiri pas aksidentit tragjik në Manzë

“Jemi me zemër të thyer”, shkolla në zi për 15-vjeçarin Alvi Muhaxhiri pas aksidentit tragjik në Manzë

20.08.2026
10.4k
Zgjerohet skandali, sanitarja që ndërronte orat Rolex dhe florinjte me prodhime false kishte “goditur” 6 familje të pasurish në Tiranë

Zgjerohet skandali, sanitarja që ndërronte orat Rolex dhe florinjte me prodhime false kishte “goditur” 6 familje të pasurish në Tiranë

23.08.2026
10.4k
Visi i garave dhunoi dhe kërcënoi gruan me armë, si e arrestoi policia

“Visi i Garave” u kap me një tjetër në vilë, dhunoi bashkëshorten dhe u përlesh me Policinë

23.08.2026
10.4k
Kamerat zbardhin minutë pas minute vrasjen e portugezit në Ksamil: U fut në det për të shpëtuar…

Kamerat zbardhin minutë pas minute vrasjen e portugezit në Ksamil: U fut në det për të shpëtuar…

23.08.2026
10.4k

  • Kreu
  • Aktualitet
  • Fokus
  • Investigim
  • SPAK News
  • Botë
  • Show Bizz

© 2026 Gazeta Korrieri.

Nuk u gjet asnjë rezultat
Shfaq të gjitha rezultatet
  • Kreu
  • Aktualitet
  • Fokus
  • Investigim
  • SPAK News
  • Botë
  • Show Bizz

© 2026 Gazeta Korrieri.