Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka shpallur fituese kompaninë “La Petrolifera Italo Albanese” në procedurën për depozitimin dhe ngarkim-shkarkimin e lëndës djegëse për TEC-et lundruese në Vlorë, me një kontratë që kap vlerën e rreth 5.3 milionë eurove.
Procedura është zhvilluar me negocim, pa njoftim paraprak, ndërsa fondi limit ishte përcaktuar në 493.960.000 lekë.
Sipas dokumenteve të procedurës, oferta fituese ka qenë 493.699.040 lekë, ose rreth 99.95% e fondit limit.
Diferenca mes fondit të vënë në dispozicion nga KESH dhe ofertës fituese rezulton vetëm 260.960 lekë.
Objekti i kontratës është “Depozitim dhe ngarkim-shkarkim i lëndës djegëse për TEC Lundrues, Vlorë”, ndërsa kohëzgjatja e saj është përcaktuar në 19 muaj.
Në dokumentacion, kriteri i përzgjedhjes përcaktohet si “oferta ekonomikisht më e favorshme bazuar në çmim”, ndërsa Petrolifera ka ofruar një vlerë prej 5.297.200 eurosh.
Kjo nuk është hera e parë që kompania përfiton kontrata për shërbimet e lidhura me TEC-et lundruese në Vlorë.
Në vitin 2023, Petrolifera kishte përfituar një tjetër kontratë me objekt të ngjashëm dhe vlerë rreth 7.2 milionë euro, e zhvilluar gjithashtu përmes një procedure negocimi të drejtpërdrejtë.
TEC-et lundruese janë vendosur prej disa vitesh në zonën e Triportit në Vlorë, ndërsa për operimin, mirëmbajtjen dhe furnizimin e tyre me lëndë djegëse KESH ka zhvilluar disa procedura me vlera prej miliona eurosh. /korrieri















