Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka reaguar për situatën e krijuar nga problemi teknik në sistemin e monitorimit të trafikut ajror të Albcontrol, që solli vonesa dhe ndryshime në oraret e fluturimeve.
Sipas TIA-s, fluturimet në hapësirën ajrore shqiptare u pezulluan për pak minuta si masë sigurie, ndërsa problematika u adresua menjëherë.
Aktualisht po punohet për rikthimin sa më të shpejtë të operacioneve në normalitet. Aeroporti njofton se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet përgjegjëse dhe kompanitë ajrore për menaxhimin e situatës.
TIA ka angazhuar numrin maksimal të stafit në terminal për të ndihmuar pasagjerët e prekur nga vonesat dhe ndryshimet e orareve.
Pasagjerët këshillohen të kontrollojnë rregullisht njoftimet e kompanive ajrore për të marrë informacionin më të fundit mbi statusin e fluturimit të tyre.
“Siguria e pasagjerëve mbetet prioriteti kryesor”, thekson Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës.















