Qeveria ka shtuar fondin për shpërblimin e punonjësve të Policisë së Shtetit dhe ka zgjeruar numrin e përfituesve, vetëm dy ditë pas vendimit fillestar të 19 tetorit.
Me ndryshimin e miratuar në mbledhjen e sotme, fondi rritet nga 740.080.000 në 759.187.520 lekë, ndërsa numri i punonjësve që përfitojnë shkon nga 2.750 në 2.821.
Kjo do të thotë 71 policë më shumë në listën e shpërblimit dhe një shtesë buxhetore prej rreth 19,1 milionë lekësh.
Pagesa individuale mbetet e njëjtë: 269.120 lekë për çdo punonjës përfitues. Fondi shtesë mbulon zgjerimin e listës.
Vendimi fillestar parashikonte shpërblimin për angazhimin e shtuar në garantimin e rendit dhe sigurisë publike, me financim nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2026.
















