Elisa Spiropali do të përdorë sot për herë të parë foltoren e sallës së konferencave të Kuvendit, pas gati një dekade mandat parlamentar dhe funksione nga më të lartat në Kuvend.
E fokusuar tek propaganda dhe fuqizimi i modelit të Edi Ramës, ajo ka qenë një alergjike e dalluar e llogaridhënies së përulur dhe transparencës. Këtë e tregon qartë fakti se kurrë nuk ka mbajtur një konferencë shtypi.
Pas shkarkimit nga funksionet drejtuese në Partinë Socialiste dhe përjashtimit të sotëm nga grupi parlamentar socialist, ish-ministrja dhe ish-kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka njoftuar përmes rrjeteve sociale se do të mbajë një konferencë për shtyp nesër në orën 11:00 nga ambientet e Kuvendit.
Ky paralajmërim vjen në një moment kur Spiropali ka humbur mbështetjen politike brenda mazhorancës dhe e vijon mandatin si deputete e pavarur.
Vendimi i sotëm i grupit parlamentar të PS-së, i marrë me kërkesë të kryetarit Taulant Balla dhe në mungesë të kryeministrit Rama e vetë Spiropalit — ku të vetmit që abstenuan ishin Erion Braçe dhe Bledi Çuçi — shënoi shkëputjen e saj përfundimtare nga strukturat e partisë ku shërbeu për më shumë se një dekadë.
Dalja e saj e paralajmëruar përballë mediave sjell në vëmendje një kontrast të fortë me qasjen e saj gjatë periudhës kur mbante poste të larta ekzekutive dhe legjislative.
Gjatë pesë viteve e gjysmë si Ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin (nga janari 2019 deri në korrik 2024) dhe më pas për rreth një vit e një muaj në krye të Kuvendit të Shqipërisë (korrik 2024 – shtator 2025), ajo nuk organizoi kurrë konferenca të hapura për shtyp për të dhënë llogari mbi punën e institucioneve që drejtonte. Zero transparencë, vetëm mbyllje dhe armiqësi me gazetarët.
Komunikimi publik i Spiropalit gjatë viteve në pushtet ka qenë i orientuar drejt mbrojtjes së linjës zyrtare të qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, duke shmangur ballafaqimin e drejtpërdrejtë me pyetjet e gazetarëve.
Gjatë kësaj periudhe, ajo është akuzuar shpesh nga media dhe opozita për mungesë transparence, për kufizime të aksesit të gazetarëve në institucionet që drejtonte, si dhe për përdorimin e një gjuhe të ashpër e etiketuese ndaj gazetarëve që ngrinin pyetje kritike mbi vendimmarrjet e ekzekutivit apo procedurat parlamentare.
Ajo zgjedh foltoren e Kuvendit pikërisht tani që nuk i ka ngelur asgjë. Ajo do të flasë, kur ka ngelur vetëm.
Ajo kërkon ujin në shkretëtirë, kur dikur thante burimet për median.
















