
Një natë dramatike ka goditur qytetin e Delvinës, ku flakët përfshinë dy lagje të periferisë duke shkaktuar shkatërrim masiv dhe frikë të madhe te banorët. Zjarri, i nxitur nga temperaturat rekord dhe era e fortë, u përhap me shpejtësi të frikshme, duke i vënë në rrezik dhjetëra banesa.
Sipas dëshmive të banorëve për mediat, situata ishte e ngjashme me një skenë apokaliptike. “Çdo gjë mori fund, gjithçka u shkatërrua. Këtu nuk shihet më asgjë, vetëm tym dhe kaos”, u shpreh një prej tyre, ndërsa vijonte të qëndronte në tarracë për të ndjekur zhvillimet.
Një tjetër banor tha se “të gjithë janë larguar” dhe se qyteti është zhytur në kaos total. Boritë e makinave, britmat e njerëzve dhe nxitimi për të shpëtuar jetën kanë krijuar një atmosferë të rënduar e të frikshme.
“Askush nuk e mendonte që zjarri do përhapej kaq shpejt. Era dhe temperaturat e larta e sollën këtë në qytet”, tregoi një tjetër dëshmitar, duke nënvizuar se forcat zjarrfikëse po luftojnë me vështirësi për të vënë flakët nën kontroll.
Autoritetet po bëjnë apel për qetësi dhe bashkëpunim, ndërsa banorët e zonave të tjera pranë vatrave të zjarrit këshillohen të jenë të gatshëm për evakuim të menjëhershëm nëse situata përkeqësohet. /korrieri