Kryeministri Edi Rama ka njoftuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për Bashkinë e Tiranës, duke hapur edhe çështjen e shkarkimit të mundshëm të kryebashkiakut Erion Veliaj. Në të njëjtën kohë, ai propozoi Ogerta Manastirliun si kandidate të Partisë Socialiste për kryeqytetin.
Nga ana tjetër, opozita duket se po has vështirësi të mëdha për të nxjerrë një emër në garë.
Dy nga figurat më të votuara të PD-së, Ilir Alimehmeti dhe Jorida Tabaku, kanë refuzuar kandidimin. Alimehmeti justifikoi vendimin me mungesë kohe për fushatë, ndërsa Tabaku e mbylli me një “jo” të prerë mundësinë për një përballje mes grave për drejtimin e Tiranës.
Situata e krijuar reflekton krizën e thellë brenda opozitës, e cila në vend që ta shohë këtë si një shans politik përballë pushtetit, po tregon mungesë guximi, fryme dhe besimi tek figura të reja.
Gara për Tiranën, që konsiderohet më e rëndësishmja pas zgjedhjeve të përgjithshme, mbetet e hapur, ndërsa data e zgjedhjeve nuk është përcaktuar ende.
Në Asamblenë Kombëtare të PS-së, Rama theksoi se pas shtatë muajsh pa kryetar bashkie, kryeqyteti ndodhet në një gjendje emergjente dhe se zgjedhjet e parakohshme janë rruga e vetme për të kthyer normalitetin në drejtimin e Tiranës. /korrieri















