Një shtesë kontrate prej rreth 500 mijë eurosh është akorduar së fundmi për ndërtimin e hangarit të helikopterëve në Bazën Ajrore të Farkës, një investim që është inauguruar disa herë nga qeveria dhe është reklamuar gjerësisht nga kryeministri Edi Rama dhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu.
Dokumentet e siguruara nga media tregojnë se Komanda e Forcave Ajrore ka hapur procedurën për “modifikim kontrate ndërtim hangari për helikopterë”, duke i shtuar 47,7 milionë lekë kontratës fillestare të fituar në vitin 2023 nga bashkimi i kompanive “Agri Construction” dhe “Alko-Impex General Construction”. Tenderi fillestar kapte një vlerë prej afro 5 milionë eurosh, ndërsa shtesa prej 500 mijë eurosh vjen pas inaugurimeve dhe vizitave të njëpasnjëshme nga krerët e shtetit.
Në janar 2025, ministri Vengu, i shoqëruar nga gjeneral brigade Ferdinant Dimo dhe koloneli Ervin Buzi, inspektoi objektin duke e shpallur gati për të pritur helikopterët “Black Hawk” të Forcës Ajrore. Madje, u premtua që festa e Ditës së Aviacionit më 24 prill të mbahej në ambientet e reja të hangarit, duke u cilësuar si një investim modern, i realizuar në bashkëpunim me palën amerikane për specifikime teknike sipas standardeve më të mira.
Megjithatë, vetëm pak muaj pas këtij përurimi, Ministria e Mbrojtjes ka vendosur që objekti nuk ishte i plotë dhe ka miratuar shtesën e kontratës. Ky zhvillim ka ngritur pikëpyetje të forta mbi arsyet e financimit shtesë, duke rikthyer debatin për mënyrën se si menaxhohen investimet publike në infrastrukturën ushtarake.
Në thelb, pas premtimeve për një “shtëpi të re moderne” për flotën ajrore, hangari i Farkës kërkon ende financime të tjera për t’u bërë plotësisht funksional. Një situatë që ngre dyshime për transparencën dhe menaxhimin e fondeve publike në projekte të këtij lloji. /korrieri














