Dikur, krimi i organizuar i pastronte paratë me metoda të drejtpërdrejta: valixhe me euro që kalonin kufijtë, apartamente luksoze ku ruheshin milionat, ndërtime të shumta për t’i bërë të dukshme si të ligjshme.
Një ekonomi e gjallë, fizike, ku çdo hap lë gjurmë, por edhe rrezikun e vet. Sot, gjithçka ka ndryshuar…..
Metodat e vjetra janë bërë të ngadalta për një botë ku teknologjia udhëheq gjithçka. Paratë nuk kalojnë më nëpër dogana, nuk rrëmbehen në rrugë. Mjafton një laptop, një lidhje interneti dhe një klikim. Paratë zhduken në rrjete virtuale, kalojnë kufijtë pa lënë gjurmë, dhe transformohen në kriptomonedha.
“Grupet kriminale e kanë zhvilluar veten e tyre, kanë kaluar metodat të ndryshme të pastrimit të parave, nga metodat tradicionale në metodat e reja. Dhe organizatat shtetërore duhet të jenë në të njëjtën valë zhvillimi, për të bërë të mundur që të shikojnë se kush janë dritaret e reja, të cilat ndjek krimi për ti fshehur paratë e pista”
“Referuar faktit që pastrimit të produktit të veprës penale nga grupet kriminale, sigurisht që sjell gjithmonë risi, patjetër që ai do orientohet edhe në risit e teknologjisë, duke ju referuar mënyrës se si paraja dixhitale, është zhvilluar vitet e fundit, është një sfidë më vete për organet ligjzbatuese të cilat duhet të marin në kontroll pastrimin e produkteve të veprës penale”, u shpreh ish prokurori, Eugen Beci.
Një “wallet” në Tiranë mund të kontrollojë miliona euro që duken të pastra, por origjina e tyre mbetet kriminale.
Ky është evolucioni i pastrimit të parave: nga rrugët dhe ndërtesat, tek laboratorët dixhitalë ku krimi ndërthur teknologjinë, mashtrimin financiar dhe luksin….
“Gjurmimi i kriptove është tmerrësisht i vështirë, por falë bashkëpunimit të ngushtë që ne kemi me Europol, Eurojust, me vende të tilla si Holanda, Belgjika, Spanja, Gjermania, Franca etj, kemi krijuar një skudër të përbashkët jo hetimore por që punojmë në grup, dhe shkëmbejmë informacione me ta për të rejat që prodhon bota e kriptove.”
Një sistem ku çdo klikim mund të fshehë një histori të errët, dhe ku gjurmët nuk lihen në kasaforta, por në blockchain. Një botë dixhitale që pak kush e kupton, por që është bërë strehë perfekte për krimin e organizuar.
“Mungesa e trajnimeve, mungesa e stafit të burimeve njerëzore të mjaftueshme për të gjurmuar këto lloj transaksionesh, sigurisht krijon vështirësi nga organet shtetërore për të gjetur se cili ka qenë autori pas një transaksioni”, u shpreh Nadia Elbasani, pedagoge.
“Kryerja e veprimtarisë kriminale, nëpërmjet kriptomonedhave, detyron organet e hetimit të ecin me hapin e teknologjisë që nënkupton hetimi i këtyre mënyrave të pastrimit të produkteve të veprës penale, duhet të filloi nga identifikimi i saktë i të dhënave që ka një kriptomonedhë”, u shpreh ish-prokurori, Eugen Beci.
Teksa institucionet përpiqen të ndjekin këto rrjedha virtuale, krimi është një hap përpara: ka krijuar një ekonomi të padukshme, ku paraja e pistë kthehet në pushtet, biznes dhe luks, duke u dukur e pastër, por duke mbartur historinë e saj të errët.
Bosët e call-center dhe ‘mjeshtrat’ e portofolëve virtualë, ‘aleanca’ e heshtur që qarkullon mln euro të pista
Sot, paratë e pista udhëtojnë përtej kufijve, pa u ndalur në doganë, pa pyetje, pa emër…..
Transformohen në bitcoin, shpërndahen në dhjetëra “ëallet”-e virtuale, dhe kthehen pas si para të pastra, gati për t’u investuar në biznese, në prona, në luks, në pushtet. Kjo është forma më moderne e pastrimit të parave…..
“Ka kompani si chananalisis dhe arkand që bëjnë gjurmimin e këtyre portofoleve, deri tani ata kanë pasur një rezultat shumë të mirë në gjurmimin e portofolëve që janë të përfshira në pastrimin e parave apo aktiviteteve të paligjshme, duke arritur të identifikojnë mënyrën sesi këto fonde kanë lëvizur, mënyrën sesi janë transferuar në protofole të tjera për ta bërë më të vështirë gjurmimin e tyre.” u shpreh Dorian Kane, ekspert i Kripto
“Një transaksion bankar është shumë herë më i sigurtë dhe më i kontrollueshëm sesa një trasaksionëallet që bëjnë individët, pasi në trasaksionin bankar personi identifikohet nëpërmjet bankës që është ndërmjetëse dhe personit tjetër pritës që i transferohen këto lekë. Ndërsa në trasaksionin me bitcoin, e ke të pamundur të identifikosh pasi këta identifikohen nëpërmjet një kodi numerik, alfa numerik dhe nuk ka të dhëna në lidhje me dërguesin dhe pritësin e këtij chenxhi”, u shpreh avokati, Dritan Jahaj.
Një sistem i ndërtuar mbi iluzionin e lirisë financiare, që në fakt sot shihet si streha më e sigurt e krimit të organizuar….
Dhe pas këtij sistemi, nuk qëndrojnë vetëm njerëz nga bota e errët e krimit. Pas kësaj skeme nuk pastrohen vetëm paratë e gjakut, e trafiqeve, por edhe ato të përfitimit nga mashtrimet me callcenter.
Pas kësaj skeme qëndrojnë njerëz që nuk kanë parë asnjëherë bursën, por dinë si të manipulojnë sistemet më të avancuara të teknologjisë financiare.
“Metodat e reja kanë “fatkeqësinë”, që nuk kanë një historik të madh dhe padyshim, aspekti i mungesës së dijenive, trajnimeve të të qenit në paravijë, mungon. Por, përsa kohë ne po e diskutojmë, kjo do të thotë që duhet vëmendje të drejtohet edhe në këtë sektor, padyshim që elementi kryesor është bashkëpunimi ndërkombëtar. Shtetet e tjera kanë historik më shumë se sa Shqipëria”, u shpreh Nadia Elbasani, pedagoge,
“Kjo është një gjë që bëjnë shumë premtime, premtime që nuk janë të vërteta, pra vetëm nga mënyra sesi ato të prezantohen, mënyra sesi ato të kontaktojnë, mënyra sesi ato të prezantohen për të marrë një shërbim apo për të shitur ndonjë produkt, janë këto mënyra që nuk përdoren nga faqet e mëdha zyrtare që janë të licensuara.” u shpreh Dorian Kane, ekspert i Kripto
Ata fshihen pas zyrave me xhama të errët në qendër të Tiranës, ku dikush përditë ngre një kufje, dhe me zë të qetë, i thotë një investitori diku në Itali:
“Po, zotëri. Keni bërë zgjedhjen e duhur. Do të fitoni shumë….”
Aty fillon gjithçka, një mashtrim global që shndërron kursimet e njerëzve në kriptovaluta, dhe më pas në asetet e një rrjeti kriminal që di vetëm të zhdukë gjurmë.
“Ne nuk arritëm të rikuperojmë para për momentin. Nëpërmjet mekanizimit të Bitcoin, është shumë e vështirë të rikuperohen para……”
Kjo deklaratë, pohon faktin se krimi nuk është më në rrugë, ai është në “cloud”. Dhe gjurmët e tij nuk lihen më nëpër kasaforta, por në blockchain, një hapësirë dixhitale që pak kush di ta lexojë…..
“Është një sektor që ka vështirësi të mëdha është i ri si sektor. Dhe patjetër që zhvillimi i tij do duhet të jetë paralel edhe nga aspekti i burimeve njerëzore të administratës shtetërore të institucioneve shtetërore. Bashkëpunimi ndërinstitucional dhe bashkëpunimi ndërkombëtar është elementi kyç, që na bën të ecim paralelisht me të gjithë organet e tjera shtetërore dhe shtetet e tjera për sa i përket pastrimit të parave përmes kriptovalutave”, u shpreh Nadia Elbasani, pedagoge.















