Një konflikt i rëndë raportohet të ketë ndodhur sot në mbledhjen e asamblesë së ortakëve të shoqërisë “Finman” shpk, kompani që zotëron “Albstar” shpk, “Manastiri Resort” shpk, “Arena Center” shpk dhe disa shoqëri të tjera.
Sipas të dhënave të raportuara, konflikti ka ndodhur rreth orës 11:00, gjatë mbledhjes së ortakëve të kompanisë.
Ortaku maxhoritar, Idajet Ismailaj, së bashku me djalin e tij Florid Ismailaj dhe bodigardët e tyre, akuzohen se kanë goditur me grushte dhe sende të forta Sokol Agalliun, djalin e ortakës tjetër të shoqërisë.
Ngjarja merr edhe një dimension familjar, pasi mes palëve ka lidhje gjaku. Idajet Ismailaj dhe Sokol Agalliu janë dajë e nip, ndërsa përplasja mes tyre duket se lidhet me konfliktet mbi administrimin dhe pasuritë e kompanisë.
Sipas të njëjtave burime, Sokol Agalliu kishte zbuluar dhe kishte akuzuar palën tjetër për vjedhjen e 500 milionë lekëve të vjetra nga arka e kompanisë, si edhe për përvetësimin e 750 metrave katrorë tek “Manastiri Resort”.
Pas këtyre akuzave, situata ka degraduar në dhunë fizike dhe kërcënime me jetë ndaj Agalliut.
Aktualisht, Sokol Agalliu ndodhet në urgjencën e spitalit Salus, në gjendje të rëndë për shkak të goditjeve në kokë. Ai po i nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore, përfshirë skanerin.
Ngjarja pritet të hetohet nga autoritetet, ndërsa konflikti mes ortakëve të “Finman” shpk nxjerr në pah një përplasje të fortë për kontrollin dhe administrimin e një grupi kompanish me peshë të konsiderueshme ekonomike. /korrieri
















