Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka zbuluar një skemë të re mashtrimi që synon qytetarët shqiptarë përmes SMS-ve për gjoba trafiku të papaguara. Pas linkeve të dërguara në këto mesazhe fshihen faqe të rreme që kopjojnë e-Albania dhe synojnë përvetësimin e të dhënave personale e bankare.
Edhe Policia e Shtetit ka lëshuar një apel për qytetarët pas raportimeve të shumta për mesazhe mashtruese që pretendojnë në mënyrë të rreme ekzistencën e gjobave apo detyrimeve administrative të papaguara. Sipas njoftimit zyrtar, gjatë ditës së sotme shumë qytetarë kanë denoncuar se kanë marrë SMS në të cilat u kërkohet të kryejnë pagesa për masa administrative të supozuara. Qytetarëve u dërgohen mesazhe që pretendojnë se kanë gjoba rrugore, detyrime financiare ose procedura administrative në pritje.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të mos klikojnë në lidhje të dyshimta, të mos japin të dhëna personale apo financiare në faqe të paverifikuara dhe të mos ndajnë me askënd kodet e sigurisë.














