Ish-futbollisti dhe drejtori sportiv shqiptar, Igli Tare, ka qenë viktimë e një vjedhjeje gjatë një udhëtimi me tren në Itali, por falë reagimit të shpejtë të Policisë Hekurudhore italiane, çanta e tij u gjet brenda pak minutash dhe iu kthye pronarit.
Sipas Policisë së Shtetit italian, ngjarja ndodhi pasi Tare zbriti nga treni në stacionin Roma Termini dhe konstatoi se çanta e tij ishte vjedhur nga bagazhi.
Ai njoftoi menjëherë Policinë Hekurudhore të rajonit Lazio, e cila analizoi pamjet e kamerave të sigurisë dhe arriti të identifikojë autorin e dyshuar të vjedhjes në një kohë shumë të shkurtër.
I dyshuari u lokalizua dhe u arrestua, ndërsa çanta iu rikthye Igli Tares.
Policia italiane e ka përdorur rastin për t’u bërë apel udhëtarëve që të mos i lënë bagazhet pa mbikëqyrje gjatë udhëtimeve me tren, pasi mjafton një moment shpërqendrimi për t’u bërë objekt i vjedhjes.
















