Një ngjarje tronditëse është zbuluar në zonën e Mystras, në Greqi, ku policia gjeti trupin e pajetë të një të moshuari të fshehur brenda një frigoriferi ngrirës në bodrumin e një hoteli të mbyllur.
Sipas mediave greke, autoritetet dyshojnë se i moshuari kishte ndërruar jetë prej katër ose pesë vitesh, por vdekja e tij nuk ishte deklaruar, duke bërë që ai të figuronte ende i gjallë në regjistrat zyrtarë.
Pista kryesore e hetimit lidhet me përfitime financiare. Dyshohet se djali i viktimës e kishte mbajtur trupin në frigorifer për të vazhduar të tërhiqte pensionin e babait të tij edhe pas vdekjes.
Rasti u zbulua pas një denoncimi pranë autoriteteve. Gjatë kontrollit në ndërtesën e hotelit të braktisur, policia gjeti frigoriferin me trupin e pajetë, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të verifikuar transaksionet financiare të kryera gjatë këtyre viteve.















