Policia e Vlorës ka zbardhur brenda 48 orësh autorësinë dhe rrethanat e djegies së një apartamenti në lagjen “Lef Sallata”, një ngjarje që fillimisht ishte dyshuar si aksidentale.
Në pranga ka rënë shtetasi B. H., 33 vjeç, i cili dyshohet se i vuri zjarrin derës së apartamentit në orët e para të mëngjesit, ndërsa brenda banesës ndodheshin dy persona, vëlla e motër.
Sipas hetimeve paraprake, motivi i ngjarjes lidhet me konkurrencën në biznes, pasi autori i dyshuar dhe pronarët e apartamentit ushtronin të njëjtën veprimtari ekonomike, atë të dhënies me qira të apartamenteve në qytetin e Vlorës.
Si pasojë e zjarrit u shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale në banesë, ndërsa fatmirësisht nuk pati persona të lënduar.
Policia bën me dije se menjëherë pas njoftimit për zjarrin, rreth orës 02:40 të datës 4 gusht 2026, specialistët e Hetimit të Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë, kryen veprimet hetimore dhe procedurale që çuan në identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
















