Pas pikëpyetjeve të ngritura mbi mënyrën se si janë ndarë fondet e Startup Albania, Ministria ka zgjedhur një mënyrë të pazakontë për të mbrojtur procesin: jo përmes publikimit të tabelave të plota të pikëzimit apo sqarimeve mbi fituesit, por duke sjellë shembullin e një aplikanti që nuk fitoi dhe që shprehet i kënaqur me mënyrën si është zhvilluar gara.
Ministrja Delina Ibrahimaj publikoi historinë e Kreshnikut, një aplikant që këtë vit nuk ishte mes përfituesve të fondeve, por që sipas ministres vlerëson transparencën e procesit dhe inkurajon të rinjtë të aplikojnë sërish.
Kjo vjen në një moment kur mbi skemën e Startup Albania janë ngritur pikëpyetje për kriteret e përzgjedhjes, përsëritjen e disa emrave dhe projekteve, si dhe për përputhjen e disa fituesve me kushtet e thirrjes.
Mesazhi i ministres është ndërtuar mbi idenë se çdo aplikim është një mundësi për të mësuar, përmirësuar projektin dhe rikthyer më fort në garë. Por debati që është ngritur për Startup Albania nuk lidhet me motivimin e aplikantëve që nuk fituan. Ai lidhet me mënyrën se si janë shpërndarë rreth 6 milionë euro fonde publike dhe me transparencën e procesit të vlerësimit.
Në të njëjtin postim, Ibrahimaj thekson se 20 startup-e fituese këtë vit kishin aplikuar edhe më parë, por u rikthyen me projekte të përmirësuara dhe këtë herë arritën të fitojnë.
Pikërisht kjo deklaratë hap të tjera pikëpyetje. Çfarë ndryshoi konkretisht në projektet e tyre? Si u vlerësuan në thirrjen e parë dhe si në të dytën? Cilat ishin pikët për secilin kriter dhe çfarë i bëri këtë herë të denjë për financim?
Në një proces ku shpërndahen miliona euro nga buxheti i shtetit, përgjigjet më të rëndësishme do të ishin tabelat e pikëzimit, argumentimi për secilin fitues dhe dokumentacioni që tregon përmbushjen e kritereve të përcaktuara në rregullore.
Në vend të këtyre, Ministria ka zgjedhur të promovojë historinë e një aplikanti që nuk mori financim, por që deklaron se mbetet i kënaqur me procesin.
Kështu, debati për fituesit dhe miliona eurot e shpërndara rrezikon të zhvendoset te një histori motivuese për humbësit. Por për fondet publike pyetja mbetet shumë më e thjeshtë: kush i mori paratë, me çfarë pikësh dhe mbi bazën e cilave kritere?
















