Një i ri gjeti vdekjen pasi u godit me thikë gjatë një sherri, ku u përfshi së bashku me babain e tij. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit në Shkodër dhe përfundoi me një viktimë dhe dy persona të plagosur.
Nga të dhënat e para rezulton se, rreth orës 05:30, në lagjen “Kongresi i Përmetit”, për motive të dobëta nisi një përplasje mes tre personave.
Sipas të dhënave paraprake të Policisë, shtetasi A. V., 25 vjeç, dyshohet se qëlloi me armë zjarri ndaj shtetasve Q. L., 63 vjeç, dhe djalit të tij, Y. L., 24 vjeç.
Gjatë konfliktit, babë e bir dyshohet se plagosën me thikë 25-vjeçarin A. V.
Të tre të plagosurit u transferuan në spital, por për shkak të plagëve të marra, 24-vjeçari ndërroi jetë.
Reagimi i Policisë
Rreth orës 05:30, në lagjen “Kongresi i Përmetit”, Shkodër, dyshohet se, si pasojë e një konflikti për motive të dobëta, shtetasi A. V. ka plagosur me armë zjarri shtetasit Q. L., 63 vjeç, dhe Y. L., 24 vjeç (babë e bir), ndërsa këta të fundit dyshohet se kanë plagosur me mjet prerës (thikë) shtetasin A. V., 25 vjeç.
Si pasojë e plagëve të marra, shtetasi Y. L., 24 vjeç, ka ndërruar jetë në spital.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, ku kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin e shtetasit A. V., si dhe gjetjen dhe sekuestrimin e armës së zjarrit, pistoletë, që dyshohet se është përdorur në ngjarje.
Grupi hetimor vijon veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, përcaktimin e përgjegjësive dhe dokumentimin e plotë ligjor të saj.
















