Një aksident i rëndë rrugor ka tronditur komunitetin shqiptar në Greqi dhe familjet e viktimave në Fier.
Tre të rinj shqiptarë humbën jetën, ndërsa dy 18-vjeçarë mbetën të plagosur rëndë në Glyfada të Athinës.
Sipas mediave greke, aksidenti ndodhi rreth orës 02:00 të mëngjesit të së enjtes, në bulevardin Poseidonos, pranë kryqëzimit me rrugën Kalypsous.
Automjeti, në të cilin udhëtonin pesë persona, doli nga rruga dhe u përplas me forcë me një mur betoni pranë një hoteli.
Goditja ishte aq e fortë sa makina u shkatërrua pothuajse plotësisht, duke lënë të bllokuar brenda personat që udhëtonin në të.
Në vendngjarje mbërritën forcat zjarrfikëse, ndërsa tetë efektivë, tre automjete dhe pajisje të posaçme u angazhuan për nxjerrjen e viktimave dhe të plagosurve.
Tre prej të rinjve nuk mundën t’u mbijetonin plagëve të marra.
Autoritetet greke bënë të ditur se dy prej viktimave ishin të moshës 23 dhe 26 vjeç, ndërsa identiteti i personit të tretë nuk u publikua menjëherë.
Sipas FieriWeb, të tre viktimat janë të rinj me origjinë nga Fieri.
Dy 18-vjeçarët që i mbijetuan aksidentit u transportuan me urgjencë në spital.
Njëri prej tyre ndodhet në gjendje kritike dhe është i intubuar, ndërsa tjetri ka pësuar dëmtime të shumta dhe po mbahet nën kujdesin e mjekëve.
Policia Rrugore greke ka nisur hetimet dhe po shqyrton pamjet e kamerave të sigurisë për të zbardhur shkaqet e aksidentit.
Deri në këtë fazë, autoritetet nuk kanë raportuar për përfshirjen e një automjeti tjetër në përplasjen tragjike. /korrieri
















