Demokratët kanë rimarrë kontrollin e Senatit amerikan pas zgjedhjeve të mesmandatit të 3 nëntorit, duke i shkaktuar një humbje të rëndësishme politike presidentit Donald Trump dhe Partisë Republikane. Sipas The Guardian, demokratët kanë shënuar fitore historike në disa shtete të kontrolluara tradicionalisht nga republikanët, ndërsa vijon numërimi i votave për Dhomën e Përfaqësuesve, ku po ashtu synojnë shumicën. Amerikanët votuan për rinovimin e të gjithë Dhomës së Përfaqësuesve, një pjese të Senatit dhe zgjedhjen e guvernatorëve në disa shtete. Rezultatet e deritanishme tregojnë një zhvendosje të ndjeshme të ekuilibrave politikë në Uashington.
Humbja e kontrollit të Senatit ia vështirëson Trump realizimin e agjendës së tij gjatë dy viteve të mbetura në Shtëpinë e Bardhë. Demokratët tashmë kanë mundësinë të bllokojnë emërimet presidenciale, të pengojnë nisma të rëndësishme ligjore dhe të ushtrojnë kontroll më të fortë parlamentar mbi administratën. Nëse sigurojnë edhe Dhomën e Përfaqësuesve, presidenti amerikan do të përballet me një Kongres të kontrolluar plotësisht nga opozita. Ekonomia, rritja e kostos së jetesës dhe politikat e emigracionit kanë qenë ndër temat kryesore të fushatës, ndërsa rezultatet e zgjedhjeve pritet të përcaktojnë raportet e forcave politike deri në zgjedhjet presidenciale të vitit 2028.
















