Dy zyrtarë të paidentifikuar të Ushtrisë Kombëtare Libiane (LNA), e cila kontrollon pjesë të Libisë Lindore, i thanë agjencisë Associated Press se disa dronë detarë ukrainas u lëshuan gjatë fundjavës drejt një anijeje ruse të ankoruar në bazën detare të Bengazit.
Sipas tyre, dronët u nisën nga një bazë e kontrolluar nga forcat ukrainase në Libinë Perëndimore.
Associated Press rikujtoi se edhe në muajin mars, forcat ukrainase që vepronin në Libinë Perëndimore, në kuadër të një marrëveshjeje të fshehtë, kishin goditur një cisternë ruse në Mesdhe, pranë ujërave të Maltës, në një sulm të dyshuar me dronë detarë.
Sulmet ukrainase ndaj anijeve ruse nuk janë diçka e re. Por këtë herë kemi të bëjmë me një zhvillim më të ndërlikuar. Forcat ukrainase, që veprojnë në territorin e kontrolluar nga Qeveria e Unitetit Kombëtar (GNU), e njohur nga OKB-ja, kanë goditur një bazë të LNA-së, vetëm pak muaj pasi palët nënshkruan një udhërrëfyes të mbështetur nga OKB-ja për ribashkimin e vendit.
Turqia ka qenë prej kohësh mbështetësja kryesore e GNU-së, ndërsa LNA-ja ka gëzuar mbështetjen e Egjiptit dhe Rusisë. Megjithatë, gjatë vitit të fundit, LNA-ja është afruar me Ankaranë, veçanërisht pasi edhe Egjipti ka nisur të normalizojë marrëdhëniet me Turqinë, pas një periudhe të gjatë tensionesh.
Ky afrim i LNA-së me Turqinë u kanë krijuar Shteteve të Bashkuara mundësinë për të ringjallur në prapaskenë procesin e paqes në Libi, i cili kishte mbetur prej kohësh në vendnumëro. Pakistani, partner i rëndësishëm i Uashingtonit dhe aleat i tij jashtë NATO-s, është paraqitur si fytyra publike e këtyre përpjekjeve.
Lëvizjet amerikane në Libi, synojnë të ndërpresin urën ajrore ruse drejt aleancës së vendeve të Sahelit. Në këtë kuadër, Turqia dhe Pakistani po përpiqen ta bindin gjeneralin Khalifa Haftar, komandantin e LNA-së, të shkëputet nga Rusia.
Deri më tani, këto përpjekje kanë pasur pak sukses, siç dëshmohet edhe nga prania e një anijeje ruse në bazën detare të Bengazit. Sulmi i fundit ukrainas ndaj bazës kryesore detare të LNA-së, i nisur nga territori i kontrolluar nga GNU-ja, mund t’i vështirësojë edhe më shumë këto përpjekje. Njëkohësisht, ai rrezikon të minojë udhërrëfyesin 2-vjeçar, të mbështetur nga OKB-ja, për ribashkimin e Libisë.
Turqia ka investuar kohë, përpjekje dhe burime të konsiderueshme në projektin e saj për bashkimin e Libisë dhe pret përfitime të mëdha gjeostrategjike prej tij. Për këtë arsye, Ankaraja ka më shumë interesa se çdo aktor tjetër për ta shpëtuar këtë proces. Pikërisht në këtë kontekst, duhet parë edhe pretendimi i publikuar menjëherë pas incidentit nga Clash Report, një burim lajmesh shumë i ndjekur në platformën X, për të cilin raportohet se ka lidhje me shtetin turk.
Duke iu referuar një burimi të vetëm anonim, Clash Report pretendoi se dronët detarë ukrainas “u lëshuan nga Shqipëria, jo nga Libia Perëndimore”, duke shtuar se versioni për Libinë Perëndimore ishte një përpjekje për të devijuar vëmendjen, e nxitur nga burime ukrainase.
Shqipëria është një partnere e afërt e Turqisë dhe marrëdhëniet mes dy vendeve kanë rrënjë shekullore, që nga periudha osmane. Megjithatë, duket se Ankaraja mund të jetë e gatshme ta sakrifikojë këtë partneritet për të mbrojtur projektin e saj në Libi.
Në fund të fundit, Turqia është partneri më i fuqishëm në këtë marrëdhënie dhe interesat e saj gjeostrategjike në Libi kanë peshë më të madhe se ato që lidhen me Shqipërinë. Nëse pretendimi i Clash Report është pjesë e një fushate dezinformimi të orkestruar nga mbështetësit e tij të supozuar në shtetin turk, atëherë objektivi kryesor do të ishte çorientimi i LNA-së, më shumë sesa opinioni publik ndërkombëtar apo vetë Rusia.
Moska nuk ka gjasa të ndërmarrë një kundërpërgjigje ushtarake ndaj Shqipërisë, anëtare e NATO-s, duke rrezikuar një përshkallëzim që mund të çonte në një konflikt të drejtpërdrejtë mes Rusisë dhe Aleancës.
Megjithatë, duhet theksuar se ishin pikërisht dy burime të LNA-së që i thanë Associated Press se sulmi ishte nisur nga “një bazë e drejtuar nga forcat ukrainase në Libinë Perëndimore”. Për këtë arsye, Haftar dhe bashkëpunëtorët e tij vështirë se do të binden nga ky version alternativ.
Mbetet për t’u parë nëse ky provokim ukrainas, i kryer me miratimin e GNU-së, do ta shtyjë Haftar-in të rishqyrtojë angazhimin e tij ndaj udhërrëfyesit të mbështetur nga OKB-ja. Por, nëse Clash Report ka vërtet lidhje me shtetin turk, pretendimi i tij sugjeron se Ankaraja është e shqetësuar për pasojat e mundshme të sulmit dhe mund të ketë nxitur përhapjen e një versioni alternativ për të shmangur përshkallëzimin e situatës.
Ka shumë gjasa që Haftar të mos e ndryshojë kursin e tij strategjik. Megjithatë, pamjet dhe perceptimi i një sulmi ukrainas ndaj bazës së tij kryesore detare, me miratimin e GNU-së, janë politikisht të pafavorshme.
Kjo mund të ushqejë pakënaqësi dhe mosbesim ndaj autoriteteve të Tripolit, duke krijuar tensione që në të ardhmen mund të shpërthejnë dhe të rrezikojnë të gjithë procesin e ribashkimit të Libisë. (Estonia First)
















