Sipas projektligjit të hartuar nga Ministria e Shëndetësisë, kompania e re do të marrë përsipër prokurimin, importimin, magazinimin dhe shpërndarjen e ilaçeve dhe pajisjeve mjekësore për institucionet publike shëndetësore.
Por kompetencat e saj do të shkojnë përtej furnizimit të spitaleve. MedAL do të ketë të drejtë të prodhojë dhe tregtojë ilaçe, të krijojë kompani të përbashkëta me biznesmenë vendas dhe të huaj, të blejë aksione në kompani ekzistuese dhe të lidhë partneritete publike-private.
Ashtu si në rastin e KAYO-s, kushtet e negocimit me subjektet private do të miratohen rast pas rasti nga Këshilli i Ministrave. Vetë bizneset private mund t’i paraqesin kompanisë shtetërore oferta bashkëpunimi, të cilat do të shqyrtohen nga një grup negociator.
Projektligji parashikon gjithashtu transferimin e pronave shtetërore te kompania e re, të cilat mund të jepen me qira, për zhvillim apo edhe të lihen hipotekë për sigurimin e financimeve, me miratimin e qeverisë.
Një tjetër ngjashmëri me ligjin për KAYO-n lidhet me konfidencialitetin e marrëveshjeve me privatët. Dokumentet e administruara gjatë këtyre procedurave mund të mos bëhen publike kur publikimi i tyre konsiderohet se bie ndesh me interesin publik ose interesat e sistemit shëndetësor.
MedAL do të mund të furnizojë me ilaçe dhe pajisje mjekësore edhe spitalet private kundrejt pagesës, ndërsa në rrethana të posaçme do të lejohet të importojë edhe medikamente të paautorizuara për tregtim në Shqipëri apo në Bashkimin Evropian, me autorizim paraprak të autoritetit kompetent.
Në relacionin shoqërues të projektligjit, Ministria e Shëndetësisë pranon se mungesat e përsëritura të ilaçeve në spitalet publike, për shkak të dështimit apo zvarritjes së tenderëve, kompensohen në shumë raste financiarisht nga vetë pacientët.
Qeveria argumenton se përqendrimi i blerjeve në një kompani të vetme do të ulë kostot, do të rrisë fuqinë negociuese të shtetit dhe do të shmangë mungesat e medikamenteve.
Megjithatë, modeli i propozuar ngre pikëpyetje mbi konkurrencën në tregun farmaceutik, pasi e njëjta kompani shtetërore do të jetë njëkohësisht blerësi qendror i ilaçeve për spitalet publike dhe potencialisht aksionare në kompanitë që prodhojnë apo tregtojnë këto medikamente.
Kapitali fillestar i MedAL do të financohet nga buxheti i shtetit, por qeveria nuk ka përcaktuar në relacion shumën e nevojshme për ngritjen e kompanisë dhe nisjen e aktivitetit të saj. /skyweb.al
















