Në Shqipëri, asgjë nuk është më e përhershme sesa një lehtësi tatimore “e përkohshme”. E konceptuar dikur si një shtysë emergjente për të joshur hotelet e para luksoze në një bregdet ende të pazbuluar, skema e përjashtimit nga taksat për turizmin elitar është shndërruar në një abonim të përhershëm për më të pasurit e tregut.
Ironia vështirë se mund të ishte më e trashë. Pikërisht në javët kur qeveria shurdhon opinionin publik me propagandën e “buxhetit më social në histori” — duke u mburrur për lëmosha modeste pensionistësh dhe ndihma për shtresat në nevojë — më 26 nëntor, maxhoranca e majtë socialiste u bë grusht rreth një ideali tejet “të majtë”: përjashtimin e elitës më të pasur të vendit nga taksat për 10 vjet.
Me 77 vota në seancë plenare, Kuvendi miratoi në heshtje një amendament të minutës së fundit që shtyn me tre vjet të tjera — nga dhjetori 2026 deri në dhjetor 2029 — afatin brenda të cilit hotelet dhe resortet me 4 dhe 5 yje, të lidhura me marka ndërkombëtare, mund të përfitojnë “statusin special” me një dekadë të plotë zero tatim mbi fitimin.
Lëvizja ishte tipike për artin e politikbërjes tinëzare. E futur kontrabandë në seancë plenare përmes një amendamenti të minutës së fundit, nisma anashkaloi komisionet parlamentare dhe çdo filtër transparence. Për të vënë firmën poshtë këtij favori fiskal, mazhoranca aktivizoi sërish mekanizmin e “idiotëve të dobishëm”, ku deputetë të dorës së dytë përdoren nga qeveria si mburojë formale për të depozituar ligje me porosi duke i kursyer kryeministrit koston e drejtpërdrejtë politike.
Edhe këtë herë në këtë rol ishte caktuar Brisejda Çakërri, një deputete nga Vlora, e cila duket se është masha e interesave oligarkike në Parlament. Pak ditë më parë, e njëjta deputete propozoi ligjin për të hequr tenderat e IT-së duke i bërë blerjet shtetërore në këtë sektor me negociata direkte.
Jorida Tabaku, deputete e opozitës dhe kryetare e Komisionit për Integrimin Evropian, e quajti zgjatjen e përjashtimit fiskal të resorteve dhe hoteleve luksoze, një ligj të “qepur me porosi” për një rreth të ngushtë klientësh të lidhur me pushtetin. Sipas saj, qeveria po sillet në kundërshtim të hapur me premtimet e dhëna Komisionit Evropian për të shfuqizuar legjislacionin e investimeve strategjike, një skemë që prej vitit 2018 është shtyrë vazhdimisht, duke u kthyer nga një stimul i përkohshëm në një privilegj të përhershëm.
Logjika e qeverisë ka qenë e thjeshtë: për ta shndërruar bregdetin shqiptar nga një destinacion i lirë masiv në një magnet për turizmin luksoz, shteti duhet të joshë emrat e mëdhenj të hotelerisë globale. Pa lehtësi fiskale dhe infrastrukturë të mbështetur nga shteti, marka të njohura ndërkombëtare vështirë se do të rrezikonin kapitalin e tyre në një treg ende në zhvillim.
Por ekonomistët dhe Brukseli shohin anën tjetër të medaljes. Përjashtimet tatimore të zgjatura pafundësisht gërryejnë bazën fiskale në një vend që ka ende nevojë urgjente për të ardhura buxhetore për shërbimet publike dhe infrastrukturën.
Edhe më shqetësuese është shtrembërimi i konkurrencës: ndërkohë që operatorët e vegjël dhe të mesëm të turizmit mbajnë barrën e plotë të taksave dhe kostove operative, gjigantët e tregut gëzojnë një oaz fiskal dhjetëvjeçar. Kur këto favore miratohen pa transparencë dhe pa analizë kosto-përfitim, kufiri mes politikës zhvillimore dhe kapitalizmit klientelist bëhet i padukshëm.
Ndërsa Shqipëria synon të përshpejtojë hapat drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Brukseli po vëzhgon me kujdes jo vetëm rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto, por edhe rregullat e lojës.
Nëse tregu shqiptar i turizmit do të vazhdojë të funksionojë me dy standarde — një për të zakonshmit dhe një tjetër për “strategjikët” — kostoja e vërtetë e këtyre resorteve luksoze mund të mos paguhet nga turistët e huaj, por nga taksapaguesit vendas dhe kredibiliteti institucional i vendit./kapitali.al
















