E martë, 6 Tetor, 2026
Gazeta Korrieri
  • Kreu
  • Aktualitet
  • Fokus
  • Investigim
  • SPAK News
  • Botë
  • Show Bizz
Nuk u gjet asnjë rezultat
Shfaq të gjitha rezultatet
Gazeta Korrieri
  • Kreu
  • Aktualitet
  • Fokus
  • Investigim
  • SPAK News
  • Botë
  • Show Bizz
Nuk u gjet asnjë rezultat
Shfaq të gjitha rezultatet
Gazeta Korrieri
Nuk u gjet asnjë rezultat
Shfaq të gjitha rezultatet
Kreu Botë

Rrëzimi i mitit gjerman, The Economist: Si po kriset modeli gjerman i biznesit 

Korrieri nga Korrieri
14.12.2024
në Botë
A A
Rrëzimi i mitit gjerman, The Economist: Si po kriset modeli gjerman i biznesit 
103
NDARJE
10.3k
SHIKIME
Ndaje në FacebookNdaje në WhatsApp

Ministria e Financave e shtetit jugor gjerman Baden-Württemberg, ku kanë selinë kompani gjigante si Bosch, Mercedes dhe ZF Friedrichshafen, është një vend i përsosur për të kuptuar ankthet e Gjermanisë. Rajonin e ka mbërthyer frika e deindustrializimit teksa po afrohen zgjedhjet që duket se do t’i japin fund mandatit të kancelarit Olaf Scholz, nëse nuk shkarkohet më parë nga partia e vet. Danyal Bayaz, ministri i Financave i shtetit Baden-Württemberg, shqetësohet se Gjermania nuk ka arritur të përfitojë siç duhet nga globalizmi i 15 viteve të fundit, duke mos investuar mjaftueshëm në sferën publike, në një epokë me norma të ulëta interesi.

Tani, përballë krizës së energjisë, rritjes së konkurrencës nga Kina dhe mundësisë që Amerika e Donald Trump të vendosë tarifa importi prej 10-20%, modeli i biznesit i Gjermanisë, duket se është “në kolaps”. Bayaz ankohet se Gjermania nuk pati aftësinë për të shfrytëzuar teknologjinë e re, pavarësisht se vendi njihet në fusha si kërkimi dhe inxhinieria. Ai vë në dukje se firma e fundit startup e suksesshme në Gjermani, ishte SAP, një kompani softuerësh, e themeluar që në kohën kur Franz Beckenbauer udhëhoqi ekipin e futbollit të Gjermanisë Perëndimore drejt fitores, në Kampionatin Europian të vitit 1972.

Gjermania ka mbi 60 herë më shumë banorë se Estonia, por vetëm 15 herë më shumë kompani “unicorn” (“njëbrirëshe”, firma private startup me vlerë mbi 1 miliard dollarë). Ky është një problem i njohur për ekonominë e vendit. Industria gjermane, sidomos kompanitë e vogla dhe të mesme, i kanë përqendruar forcat në rritje dhe zgjerim, duke e lënë industrinë të papërgatitur ndaj goditjeve të papritura teknologjike, si ardhja e automjeteve elektrike. Lidhjet e rehatshme midis biznesit, bankave dhe politikanëve, nxitën vetëkënaqësinë dhe qëndresën ndaj reformave të reja.

Respektimi dogmatik i rregullave fiskale çoi në ndryshkje të urave, prishje të shkollave dhe vonesa të trenave. Rritjet në tregjet e huaja shtuan fitimet e bizneseve gjermane për njëfarë kohe, por ky model i udhëhequr nga eksporti, e la Gjermaninë të pambrojtur kur erërat e globalizimit u kthyen në drejtimin e kundërt.

Tani, Gjermania po korr atë që mbolli, edhe pse vitin e kaluar zuri vendin e Japonisë, si ekonomia e tretë më e madhe në botë. Në fakt, vendi pothuajse nuk ka pasur fare një rritje reale të PBB-së, që nga koha e pandemisë. E ardhmja bëhet edhe më e zymtë po të marrin parasysh rreziqet e një lufte tregtare të shkaktuar nga Donald Trump. Kompania Volkswagen, që është prodhuesi më i madh i makinave në Europë, do të mbyllë për herë të parë në historinë e vet 87-vjeçare, deri në 30,000 vende pune. Papunësia e vendit ka qenë historikisht e ulët, por tashmë po rritet.

Një tjetër shqetësim i madh për kompanitë gjermane janë çmimet e larta të energjisë, sidomos pasi Gjermania u detyrua të shkëputej nga gazi rus, pasi Vladimir Putin pushtoi Ukrainën. Gjendja e vështirë e kompanive është veçanërisht problematike në një vend si Gjermania, ku manifaktura ende përbën rreth 20% të vlerës së shtuar bruto.

Kjo është pothuajse sa dyfishi i kontributit që jep kjo industri në vlerën e shtuar bruto të Francës, megjithëse, pasi manifaktura industriale gjermane arriti kulmin në vitin 2018, që atëherë pesha e saj në vlerën e shtuar bruto të vendit, është ulur më shpejt se në çdo shtet të BE-së, veçanërisht në sektorët që përdorin shumë energji, si prodhimi i çelikut.

Porositë janë pakësuar dhe investimet e planifikuara janë shtyrë, ose janë zhvendosur jashtë vendit. Shefi i kompanisë së çelikut Thyssenkrupp, që ka dalë me humbje, ka thënë se Gjermania është “në mes të një deindustrializimi”.

Edhe shitësit me pakicë janë goditur nga kriza. Pas pushtimit të Rusisë, Raoul Rossmann, i cili drejton një zinxhir farmacish me seli pranë Hanoverit, që mban mbiemrin e familjes, vizitoi me radhë degët e kompanisë për të gjetur një mënyrë si mund të kursenin në faturat e energjisë.

Probleme të tjera janë mungesa e punëtorëve të kualifikuar ndërsa popullsia gjermane po plaket, dhe shtresat e burokracisë, shumica e të cilave burojnë nga Brukseli, dhe që Instituti IFO në Mynih, llogarit se i kushtojnë ekonomisë gjermane 146 miliardë euro (154 miliardë dollarë) në vit. Sipas Sander Tordoir në Qendrën për Reformën Europiane (CER), një faktor i rëndësishëm në rënien e ekonomisë gjermane ka qenë edhe ndryshimi i marrëdhënieve me Kinën.

Në dekadat 2000 dhe 2010, Gjermania ishte në një pozicion të përsosur për të kënaqur oreksin kinez me makinat, kimikatet dhe pajisjet e sakta gjermane. Eksportet e mallrave gjermane drejt Kinës u rritën me 34% midis viteve 2015 dhe 2020, ndërsa ato të vendeve të tjera ranë. Deri në vitin 2020, Kina ishte një importues neto i makinave, por vitin e kaluar, ajo u bë eksportuesi më i madh në botë.

Kështu, kompanitë kineze po shndërrohen nga klientë, në konkurrentë, duke i rrëmbyer pjesën e tregut jo vetëm industrisë gjermane të automobilave, por edhe kompanive të tjera prodhuese gjermane.

“Nuk ka të bëjë vetëm me automjetet, por edhe me makineritë dhe kimikatet”, thotë Tordoir.

Siç vë në dukje Clemens Fuest, nga qendra IFO, Kina tani përbën vetëm 6% të totalit të eksporteve gjermane, afërsisht sa Holanda fqinje. Por marrëdhënia e Gjermanisë me Kinën, nuk ka të bëjë vetëm me varësinë nga eksportet. Në një studim, Tordoir dhe Brad Setser, një ekonomist në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë, përshkruajnë se si “goditja e dytë e Kinës”, mund të përkeqësojë edhe më tepër problemet industriale të Gjermanisë.

Tregu i brendshëm i Kinës nuk mund të përthithë prodhimin e tepërt të prodhuesve të tij të subvencionuar nga shteti, dhe ndërsa ata kërkojnë klientë jashtë vendit, ka shpërthyer suficiti tregtar i vendit. Ky është një problem për kompanitë gjermane që operojnë brenda vendit dhe jashtë.

“Tregjet e ndikuara nga shteti kinez, mund të ofrojnë nivele të paarsyeshme financimi për investimet kineze, duke lënë në baltë prodhimin gjerman”, shkruajnë ata.

Ndërsa eksportet gjermane në Kinë kanë rënë, Amerika ka zënë pjesërisht vendin e tyre. Disa kompani kanë shfrytëzuar mundësitë e hapura nga shkëputja e Amerikës nga teknologjia kineze; të tjera kanë përfituar nga subvencionet e Ligjit për Uljen e Inflacionit. Por Donald Trump është një kërcënim për të gjitha këto.

Ai jo vetëm që mund të rrisë tarifat, për të cilat banka gjermane Bundesbank mendon se mund ta zvogëlojnë PBB-në gjermane me një pikë përqindje, por kufizimet e reja amerikane mund të godasin edhe kompanitë prodhuese gjermane që përdorin inpute kineze. Këto veprime nga ana e Amerikës do të shtynin eksportuesit kinezë që të kërkonin tregje alternative jashtë Europës.

Një diplomat thotë se industria gjermane është e ndarë për sa i përket Kinës. Kompanitë Volkswagen dhe BMW po planifikojnë investime të reja të mëdha në prodhimin kinez. Për shkak të lobimit nga sektori i saj i makinave, Gjermania ishte një nga pesë shtetet europiane që votuan kundër tarifave të BE-së ndaj importeve të makinave kineze, në tetor. Brenda qeverisë gjermane ka shumë tension midis diplomatëve dhe politikanëve më të ashpër.

Këta të fundit duan ta ndëshkojnë Kinën me kufizime tregtare për mbështetjen e ushtrisë ruse, ndërsa të tjerë që shqetësohen më tepër për industrinë, kanë frikë se kjo është një masë që Gjermania me rritje të ulët ekonomike, nuk mund ta përballojë dot. Historia e deindustrializimit mund të jetë më e ndërlikuar nga sa duket. Humbja e vendeve të punës në sektorin e manifakturës, ul produktivitetin e Gjermanisë, që tashmë ka qenë në rënie prej vitesh. Por vlera e shtuar bruto në manifakturë ka mbetur e qëndrueshme, edhe pse prodhimi ka rënë.

Me fjalë të tjera, disa prodhues gjermanë, mund të bëjnë mallra më të vlefshme, duke shitur më pak prej tyre. Kjo metodë e “cilësisë mbi sasinë”, siç shprehet Deutsche Bank, mund të jetë premtuese për kompanitë gjermane të teknologjisë së lartë, duke përfshirë makinat luksoze. Gjermania vazhdon të ketë përparësi në teknologjinë e gjelbër, duke përfshirë turbinat me erë dhe elektrolizatorët.

Por kjo nuk mund të kompensojë humbjet në fusha të tjera. Gjermania duhet të kapërcejë “zakonin e saj të keq industrial”, thotë Moritz Schularick nga Instituti i Kiel-it për Ekonominë Botërore. Industritë që përdorin shumë energji, nuk janë rritur për dy dekada. Sektori i makinave ka humbur vendet e punës prej gjashtë vjetësh dhe një kthesë në horizont duket e pamundur.

“Për vite me radhë, ata kishin besimin se ‘ne jemi më të mirët’, dhe papritmas kjo mbaroi”, thotë një zyrtar i BE-së.

Forca të thella strukturore veprojnë në modelin industrial të Gjermanisë. Të bindësh gjermanët se duhet gjetur një alternativë ndaj të qenët fuqi e madhe në eksport, është një përpjekje që kërkon vite, jo muaj. Nuk mund të kompensohet lehtë as rënia e tregtisë me rajonet e tjera të botës.

Pavarësisht përpjekjeve të shumta të Gjermanisë, bisedimet për tregti të lirë midis BE-së dhe bllokut amerikanojugor Mercosur, janë zvarritur tashmë prej 25 vjetësh. (Franca, midis vendeve të tjera, është kundër marrëveshjes.) Disa mendojnë se një mjet më i dobishëm për t’i dhënë vrull ekonomisë, do të ishte reformimi i një pjese të modelit gjerman që duket se është kthyer në pengesë: frena e borxhit, e cila kufizon deficitin buxhetor strukturor vjetor të qeverisë federale në 0.35% të output-it. Frena e borxhit është një relike e një epoke të shkuar, thotë Max Krahé nga grupi kërkimor Dezernat Zukunft, me seli në Berlin.

Ky ligj është krijuar në një kohë kur Gjermania mbështetej në vendet e tjera me deficite, për të nxitur ekonominë e saj. Në një botë ku globalizimi ka ngecur, ky model nuk funksionon më. Ndërkohë, nevojat e Gjermanisë për investime publike (që sipas një vlerësimi shkojnë në rreth 600 miliardë euro gjatë dhjetë viteve), janë bërë tepër të mëdha për t’u shpërfillur.

Për më tepër, nevojiten edhe fonde të reja për mbrojtjen. Gjermania këtë vit arriti më në fund objektivin e NATO-s për shpenzimin e 2% të PBB-së në mbrojtje, por vetëm falë një fondi të posaçëm që së shpejti do të përfundojë. Me shumë gjasa, do të nevojiten edhe më tepër për të plotësuar kërkesat e administratës së re Trump.

Për këto arsye, mendohet se koalicioni i ardhshëm qeveritar, ndoshta i udhëhequr nga kancelari i ardhshëm Friedrich Merz, udhëheqësi i Partisë Kristiano-Demokrate i qendrës së djathtë, do të jetë i hapur për një reformë modeste në ligjin e frenimit të borxhit. (Gjermania do të mbajë zgjedhje në muajin shkurt, pas përmbysjes së koalicionit tripartiak këtë muaj.)

Nëse kryhen reformat e nevojshme, lulëzimi i investimeve mund të ndihmojë në kompensimin e humbjeve të eksportit në një periudhë afatshkurtër. Gjermania do të përfitonte shumë nga investime në arsim dhe infrastrukturë, fusha ku është mbrapa kolegëve europianë dhe investime të tilla mund të përshpejtojnë normën e rritjes afatgjatë të vendit.

Ka shumë ide për reforma, duke përfshirë rritjen e deficitit të lejuar (ose zëvendësimin e tij me udhëzime më të gjera), përjashtimin e investimeve publike nga kufijtë e huamarrjes ose krijimin e fondeve jashtë rezervave për infrastrukturën ose mbrojtjen. Sidoqoftë, për t’u kthyer në ndryshime në Kushtetutë, të gjitha këto do të kërkonin një shumicë prej dy të tretash në të dyja dhomat e parlamentit.

Dhe ka shumë gjasa që në zgjedhjet e ardhshme, partitë e skajeve të fitojnë rreth një të tretën e pakicës në Bundestag, që mjafton për të hedhur poshtë propozime të tilla ligjore. Për këtë arsye, socialdemokratët në qeveri, i kanë kërkuar Merz që ta japë që tani mbështetjen për reformën, pasi kjo do t’u jepte partive pro-reformës mbështetjen që i nevojitet për miratimin e saj. Deri tani, ai nuk ka pranuar.

Thorsten Benner, i cili drejton Institutin Global të Politikave Publike të Berlinit, thotë se Gjermania është zhvendosur nga “optimizmi i lehtë” i viteve të qeverisë së Angela Merkelit, në një “kurth të zymtë” ku probleme si politika jofunksionale, kufizimet e frenës së borxhit, burokracia e tepërt dhe mosbesimi publik, përforcojnë njëri-tjetrin. Ai shpreson se qeveria e ardhshme mund të veprojë si një forcë ndryshimi.

Kjo nuk është e pabesueshme. Në vend ka një rënie morali aq të thellë, sa që është rritur ndjesia se një ndryshim rrënjësor është tashmë i pashmangshëm. Në këtë sfond do të lidhet marrëveshja e koalicionit të ardhshëm qeveritar. Merz mund të pranojë reformat e frenimit të borxhit nëse aleatët e tij bien dakord për uljen e taksave ose reformën e mirëqenies. Por do të ishte shumë ironike nëse llogaritë e thjeshta parlamentare pengojnë një ndryshim të madh dhe të nevojshëm për Gjermaninë./Monitor

Para

HISTORIA / Parashqevi Simaku , ikona që rizgjoi tani mijëra shqiptarë, dashuria e pamundur me politikanin e njohur, si u largua për në SHBA dhe intervista e fundit 

Pas

Plagosja brenda shkollës në Fier/ Policia arreston autorin adoleshent, gjyshja: Vuan nga probleme të shëndetit mendor! 

Nga Kategoria

Avokati i Thaçit: Si e dinte Macron 6 ditë më herët vendimin?
Botë

Avokati i Thaçit: Si e dinte Macron 6 ditë më herët vendimin?

03.10.2026
10.3k
Mister në SHBA, zhduket nga radarët një avion me 6 persona në bord! Po fluturonte nga Bermuda
Aktualitet

Mister në SHBA, zhduket nga radarët një avion me 6 persona në bord! Po fluturonte nga Bermuda

03.10.2026
10.3k
Presioni mbi Rusinë dhe rreziku i dështimit të megablerjes në Balltik rrëzojnë aksionet e OTP
Aktualitet

Presioni mbi Rusinë dhe rreziku i dështimit të megablerjes në Balltik rrëzojnë aksionet e OTP

30.09.2026
10.4k
“Mund të keni fatin e Rumanisë” – Greqia mohon kërcënimet nga ambasadorja amerikane që takoi dhe Ramën
Botë

“Mund të keni fatin e Rumanisë” – Greqia mohon kërcënimet nga ambasadorja amerikane që takoi dhe Ramën

29.09.2026
10.4k

Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Të Përzgjedhura

Amerikanët rikthehen në SPAK, s’ka gjumë për hajdutët e fondeve publike

Zyrtarë të lartë në hetim, përgjegjësi individuale?

30.09.2026
10.4k
Mister në SHBA, zhduket nga radarët një avion me 6 persona në bord! Po fluturonte nga Bermuda

Mister në SHBA, zhduket nga radarët një avion me 6 persona në bord! Po fluturonte nga Bermuda

03.10.2026
10.3k
Nga sekretet e shtetit te videot intime: Kush i kishte materialet dhe pse dolën pikërisht tani?

Nga sekretet e shtetit te videot intime: Kush i kishte materialet dhe pse dolën pikërisht tani?

05.10.2026
10.3k
Klani mafioz i Shkodrës në Livigno, pjesë e grupit një 20-vjeçar, pronar i 2 kompanive të ndërtimit në Itali 

Shqiptari tremb kalimtarët në mes të rrugës në Itali, arrestohet

29.09.2026
10.4k
Fantazmat pas kullave/ Leje 23 kate për kompaninë që u krijua vetëm një javë më parë

Fantazmat pas kullave/ Leje 23 kate për kompaninë që u krijua vetëm një javë më parë

05.10.2026
10.3k
SPAK sekuestron telefonat e Aleks Markut, Ron Yeffet dhe Ardi Veliut

SPAK sekuestron telefonat e Aleks Markut, Ron Yeffet dhe Ardi Veliut

03.10.2026
10.3k

Boom-i Javës

Videot intime, eksperti IT: Kamerat brenda shtëpisë hakerohen lehtësisht, pamjet shiten në internet

Videot intime, eksperti IT: Kamerat brenda shtëpisë hakerohen lehtësisht, pamjet shiten në internet

01.10.2026
10.6k
Vajza e Eli Farës “tërbon” ndjekësit, shfaqet nudo në vaskë/ FOTO

Vajza e Eli Farës “tërbon” ndjekësit, shfaqet nudo në vaskë/ FOTO

23.09.2023
10.5k
Legalizimi pa tarifë për banesat pa leje, kush përfiton nga vendimi i qeverisë

Legalizimi pa tarifë për banesat pa leje, kush përfiton nga vendimi i qeverisë

19.09.2026
10.7k
Arrestohet në Tiranë Martin Mane , djali i Samir Manes

Arrestohet në Tiranë Martin Mane , djali i Samir Manes

13.01.2025
10.5k
Videot intime, Eli Fara dëshmon në polici: Nuk i ka shpërndarë Adi Hila

Videot intime, Eli Fara dëshmon në polici: Nuk i ka shpërndarë Adi Hila

02.10.2026
10.4k
Shpërthim me tritol në një makinë në Fushë-Krujë, autori ikën në këmbë!

Plas kallashi gjatë operacionit të Policisë në Krujë

29.09.2026
10.4k

  • Kreu
  • Aktualitet
  • Fokus
  • Investigim
  • SPAK News
  • Botë
  • Show Bizz

© 2026 Gazeta Korrieri.

Nuk u gjet asnjë rezultat
Shfaq të gjitha rezultatet
  • Kreu
  • Aktualitet
  • Fokus
  • Investigim
  • SPAK News
  • Botë
  • Show Bizz

© 2026 Gazeta Korrieri.