
Hysen Kadiu, i cili doli fitues në primaret e Partisë Demokratike në Tiranë, ka reaguar pas fitores duke sjellë në vëmendje shembullin e Kavajës si një simbol i qëndresës dhe vullnetit për ndryshim. Në një status të shpërndarë në rrjete sociale, ai theksoi se, përballë çdo vështirësie dhe padrejtësie, demokratët kanë treguar vendosmërinë e tyre për të çuar përpara një projekt ndryshe nga ai i imponimeve dhe pazareve politike.
“Kavaja tregoi edhe një herë se, përballë çdo vështirësie, triumfon dëshira dhe vullneti i demokratëve për ndryshim. Përballë çdo padrejtësie të kundërshtarit dhe jo vetëm, kavajasit vulosën me votën e tyre fitoren e PD-së”, shkruan Kadiu.
Ai shigjetoi edhe skemat e vendosjes së emrave në lista të mbyllura, duke theksuar se fituesit e vërtetë janë ata që punojnë me përkushtim dhe seriozitet, pa u përfshirë në lojërat e pushtetit.
“Krenar për Kavajën dhe qytetarët e saj, ata që treguan sot e gjithmonë se demokracia triumfon në qytetin ku nisi lëvizja për ndryshimin e madh të viteve ’90. Një dëshirë dhe vullnet që nuk e ndal dot askush!”, përfundon mesazhin Kadiu, duke e lidhur fitoren e tij me vlerat historike të Partisë Demokratike dhe besimin e anëtarësisë në zgjedhjet e hapura. /korrieri