
Policia ka arrestuar mbrëmjen e të martës në Pogradec një 25-vjeçar. Fabian Muçollari, nga Vërdova e Pogradecit, ishte në hetim disajavor nga agjentët e terrenit.
Në momentin e arrestimit, 25-vjeçarit i janë gjetur e sekuestruar armë zjarri dhe një sasi droge.
Fabian Muçollari nuk është një emër i panjohur për policinë e Pogradecit dhe Korçës, pasi në vitin 2017 i riu vrau me armë zjarri automatike bashkëmoshatarin e tij Fabio Hila.
Muçollari për rreth 7 vite ka qenë duke vuajtur dënimin pranë IEVP Drenovë për këtë vepër penale dhe prej pak kohësh kishte lënë qelinë e burgut.
Njoftimi i Policisë
Operacion për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.
Gjatë operacionit të koduar “Cold Hand”, u sekuestruan 1 pako me lëndë narkotike kokainë, 2 armë zjarri, municion luftarak, një shkop metalik, një shumë lekësh dhe një automjet.
Policia vë në pranga poseduesin e tyre, i dënuar më parë për “Vrasje” dhe “Vrasje e mbetur në tentativë”.
Si rezultat i angazhimit maksimal të shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë dhe i punës së pandërprerë, falë edhe bashkëpunimit me qytetarët, për një shtetas që posedonte armë zjarri dhe shpërndante lëndë narkotike në qytetin e Pogradecit, shtetas me precedent kriminal, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, Seksionit të Krimeve të Rënda dhe Shqiponjat, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Cold Hand”.
Gjatë operacionit, shërbimet Operacionale të DVP Korçë kapën dhe vunë në pranga shtetasin Fabian Muçollari, 27 vjeç, banues në Pogradec, me rrezikshmëri shoqërore.
Gjatë kontrollit fizik, kontrollit të automjetit dhe kontrollit të banesës në lagjen nr. 1, Pogradec, shtetasit F. M. iu gjetën në një çantë krahu një shufër metalike me mbishkrimin “Policia”, 2 armë zjarri pistoletë, 1 silenciator, 3 krehra, 1 shkop metalik, një pako me lëndë narkotike të dyshuar kokainë, 5 aparate celularë, 2 karta banke, 1 pasaportë biometrike dhe një shumë parash (lekë, euro dhe dollarë australianë).
Gjithashtu u sekuestrua dhe automjeti i tij.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.