
Taulant Malaj, shtetasi shqiptar që tronditi Italinë me krimin e dyfishtë në maj 2023, është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Foggias.
Malaj, 47 vjeç, u shpall fajtor për vrasjen me dashje të vajzës së tij 16-vjeçare, Jessica Malaj, dhe të fqinjit italian, Massimo De Santis, për të cilin dyshonte se kishte një lidhje me ish-bashkëshorten e tij, Tefta Malaj.
Krimi ndodhi në banesën e familjes në Torremaggiore më 7 maj 2023. Malaj goditi për vdekje vajzën e tij me thikë, teksa ajo përpiqej të mbronte nënën e saj nga sulmi i të atit.
Në sulm u vra edhe fqinji, ndërsa gruaja e tij mbeti e plagosur, përpara syve të djalit të vogël të çiftit, vetëm pesë vjeç në atë kohë.
Përveç dënimit të përjetshëm, gjykata vendosi edhe izolim gjatë ditës për një vit e gjashtë muaj, si dhe një masë sigurie prove me kohëzgjatje trevjeçare.
Gjatë gjyqit, mbrojtja e Malajt u përpoq të argumentonte se ai kishte vepruar nën ndikimin e një çrregullimi mendor të shkaktuar nga problemet me gjumin.
Por ekspertiza psikiatrike e kryer nga mjeku ligjor Luigi Esposto e përjashtoi këtë pretendim, duke theksuar se Malaj kishte kapacitet të plotë njohës dhe dallues në momentin e krimit.
Avokati Roberto De Rossi, i cili asistoi Tefta Malajn, gruaja që ka ndryshuar mbiemrin që atëherë, nuk e ka konsideruar kurrë “të besueshme tezën e ngritur nga mbrojtja, për një defekt mendor të të pandehurit që i atribuohet një çrregullimi të gjumit. Sjelljet e kryera menjëherë pas vrasjes nxorën në pah praninë e aftësive njohëse dhe dalluese, të mbështetura gjatë gjyqit nga dëshmia e psikiatrit mjeko-ligjor, Luigi Esposto, i cili e vizitoi të pandehurin në burg, duke përjashtuar praninë e patologjive psikiatrike”.
Avokati i Tefta Malajt deklaroi se vendimi i sotëm konfirmon plotësisht versionin e prokurorisë dhe hedh poshtë përpjekjet për të relativizuar krimin përmes një mbrojtjeje të pabazë psikiatrike./korrieri