
Një 30-vjeçar është shpallur i zhdukur në rrethana misterioze në qytetin e Memaliajt. Bëhet fjalë për Eraldo Muçin, i njohur si një nga miqtë më të afërt të Aleksandër Sadikajt, i cili mbeti i vrarë me eksploziv në qershor të vitit 2022. Sipas kallëzimit të bërë nga prindërit e tij, Eraldo ka dalë nga banesa më 15 qershor dhe prej asaj dite nuk ka asnjë gjurmë për vendndodhjen apo fatin e tij.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se i riu ka udhëtuar drejt Durrësit, por nuk është arritur ende të identifikohen personat me të cilët ai ka komunikuar. Hetimet janë përqendruar në disa pista, përfshirë dyshimin për një ngjarje kriminale që mund të jetë e lidhur me të kaluarën e tij dhe lidhjen me Sadikajn, si dhe një tjetër pistë që lidhet me çështje të mundshme borxhesh.
Rasti ka rikthyer në vëmendje përplasjen e dhunshme mes grupit të Aleksandër Sadikajt dhe atij të Edmond Papës. Sadikaj u vra me eksploziv pranë rrethrrotullimit të TEG-ut në Tiranë në qershor të vitit 2022. Si pjesë e hakmarrjeve të dyshuara, më pas u vra në Tiranë edhe Edmond Papa, ndërsa dy kushërinjtë e Sadikajt, Adriatik dhe Zamir Kalemi, i mbijetuan dy atentateve mafioze.
Përplasjet kulmuan me masakrën e Memaliajt, ku mbeti i vrarë Shyqyri Kalemi, daja i Aleksandër Sadikajt, si dhe dy persona të tjerë që nuk kishin lidhje me konfliktin mes grupeve.
Zhdukja e Eraldo Muçit ngre sërish pikëpyetje mbi një zinxhir ngjarjesh të dhunshme, që ndonëse të shtrira në kohë, duket se vazhdojnë të prodhojnë pasoja të reja. Policia po vijon hetimet në bashkëpunim me disa struktura të tjera dhe nuk përjashtohet që rasti të ketë lidhje me konflikte të mëparshme mes grupeve kriminale në jug të vendit.