
Në orët e para të mëngjesit të sotëm, Policia e Novarës ka ekzekutuar një urdhër arresti me burg ndaj pesë personave, të dyshuar si pjesëtarë të një grupi kriminal të përfshirë në trafikun e sasive të mëdha të drogës.
Masa është caktuar nga Gjykata e Novarës, me kërkesë të Prokurorisë së Republikës.
Të arrestuarit janë tre shtetas shqiptarë dhe dy italianë, raportojne mediat italiane.
Operacioni u zhvillua në zonat e Novarës, Nibbiola-s dhe Vespolate-s, pas një hetimi të gjatë nëntëmujor të seksionit antidrogë të Policisë Kriminale.
Sipas autoriteteve, grupi kishte një strukturë të mirëorganizuar dhe shpërndante rreth 30 kilogramë hashash dhe 2 kilogramë kokainë çdo javë në tregun lokal.
Në krye të rrjetit dyshohet të ketë qenë një shtetas shqiptar 41-vjeçar, i dënuar më parë për vepra penale, i cili kishte përfshirë në veprimtari edhe vëllain e tij 39-vjeçar dhe disa bashkëpunëtorë të ngushtë, për të kufizuar rrezikun e tradhtisë apo ekspozimit ndaj hetimeve.
Sipas hetuesve, baza operative e grupit ndodhej në një kompleks banimi në zonën e Lumellogno-s, ku droga ruhej për një periudhë të shkurtër dhe më pas shpërndahej menjëherë tek klientët.
Çdo anëtar kishte rolin e tij të përcaktuar: vëllai i “kokës” së grupit shërbente si roje dhe përgatiste dozat e drogës, ndërsa një shqiptar tjetër 32-vjeçar, i quajtur “shërbëtori” dhe pa precedentë penalë, merrej me transportin e lëndës narkotike.
Dy italianët e arrestuar, të moshës 55 dhe 52 vjeç dhe me të kaluar kriminale, kishin vënë në dispozicion ambientet e tyre për fshehjen e drogës.
Transport me makina të përshtatura
Droga transportohej me një automjet të pajisur me hapësira të fshehta, të ndërtuara në sediljet e pasme, të cilat hapeshin me butona të vendosur në tapicerinë e makinës.
Gjatë hetimeve, policia ka sekuestruar 30 kilogramë hashash dhe mbi 2 kilogramë kokainë.
Sipas vlerësimeve të prokurorisë, aktiviteti i grupit kriminal ka gjeneruar një xhiro mujore prej rreth 400 mijë euro.
Hetimet janë ende në vijim për të identifikuar bashkëpunëtorë të tjerë të mundshëm dhe rrjetin e shpërndarjes.