
Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ka shfaqur interes për të blerë një apartament në kompleksin luksoz “Met Building”, që po ndërtohet pas ish-hotel Dajtit në qendër të Tiranës. Çmimi i apartamenteve në këtë godinë arrin deri në 5 mijë euro për metër katror, ndërsa dyqanet në katin përdhe shkojnë deri në 12 mijë euro/m².
Sipas dëshmive të siguruara nga gazetari i Ora News, Elton Qyno, Ajola Xoxa është paraqitur në objekt rreth tre vite më parë, e shoqëruar nga biznesmeni dhe përfaqësuesi i firmës ndërtuese “Albanian Investment Construction” (AIC), Alban Peza. Burime konfirmojnë se ajo ka parë një apartament në katin e pestë me pamje nga Kisha Katolike dhe lumi Lana, por më pas është tërhequr për shkak të mungesës së ndriçimit natyral dhe pakënaqësisë me fasadën.
Në datën 12 maj 2025, një nga bashkëpronarët e kompanisë “Met Invest”, Hauard Malo, është thirrur nga SPAK për të dhënë shpjegime lidhur me këtë vizitë. Malo ka pohuar se nuk e njeh personalisht Ajola Xoxën dhe se kontaktet janë mbajtur përmes Alban Pezës, i cili ka dërguar edhe planimetrinë e disa ambienteve për llogari të saj. Sipas tij, interesimi i Ajolës nuk është konkretizuar me blerje.
“Met Invest” është një kompani ndërtimi në pronësi të familjes Malo, ku secili prej pesë anëtarëve zotëron nga 20 për qind të aksioneve. Shoqëria ka zhvilluar më parë ndërtime pranë Liqenit të Thatë dhe aktualisht po finalizon godinën te pas Hotel Dajtit, për të cilën leja është dhënë nga Bashkia e Tiranës në vitin 2018–2019. Projekti arkitektonik është hartuar nga studio “Atelier 4”, ndërsa Malo ka deklaruar se të gjitha pagesat janë kryer në rrugë bankare.
Në dëshminë e tij, Malo ka sqaruar se Peza është paguar përmes faturave tatimore dhe nuk është shpërblyer me sipërfaqe ndërtimi. Ai ka theksuar se nuk ka pasur zyrë shitjeje në objekt, dhe kontaktet me blerësit janë zhvilluar përmes kompanisë ndërtuese dhe arkitektëve të angazhuar.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur emri i Ajola Xoxës është përmendur gjithnjë e më shpesh në dosjet e hetuara nga SPAK, përfshirë rolin e saj në menaxhimin financiar dhe pasuror të familjes Veliaj. Vizita në një nga objektet më të shtrenjta të kryeqytetit, ndonëse nuk është përkthyer në një blerje, është konsideruar e rëndësishme për kontekstin e hetimeve të nisura për pasurinë e zyrtarëve dhe lidhjet e tyre me sektorin e ndërtimit.