
Pas vrasjes makabre të Anesti Ramës në banesën e tij në fshatin Frashër të Fierit, policia arrestoi si të dyshuar kryesore vajzën e tij, Emalinda Rama, ndërsa ditën e sotme vuri në pranga edhe bashkëshorten e tij. Valbona Rama është arrestuar për akuzën e veprimeve që pengojnë zbardhjen e së vërtetës, pasi pas vrasjes së bashkëshortit ka ndihmuar të bijën të fshehin krimin dhe të inskenonin ngjarjen sikur ishte aksidentale.
Viktima, krahas një plage në fyt nga mbytja me tel nga e bija, ka edhe dëmtime në organet gjenitale, çka ngre dyshime tek grupi hetues se mund të lidhet me ndonjë histori abuzimi. Anesti Rama ishte dërguar fillimisht nga vajza dhe bashkëshortja për të kryer një kontroll mjekësor, ndërsa pas kthimit në shtëpi, 26-vjeçarja e ka vrarë babain me mjet strangulues (mbytje me tel). Më pas, në bashkëpunim me nënën, kanë tentuar të fshehin të vërtetën duke inskenuar ngjarjen si aksidentale.
Rreth orës 23:00 të datës 23.07.2025, Emalinda Rama ka telefonuar policinë duke pretenduar se kishte gjetur babain të pajetë. Hetimet e deritanishme tregojnë se dyshimet për vrasjen bien mbi vajzën e tij, e cila në bashkëpunim me nënën, 53-vjeçaren Valbona Rama, kanë tentuar të pengojnë zbardhjen e së vërtetës duke pastruar trupin e 56-vjeçarit përpara se të njoftonin policinë.
Policia njoftoi se operacioni “Inskenimi” u finalizua pas arrestimeve, ndërsa grupi hetimor ende nuk ka mundur të hedhë dritë mbi motivin e këtij krimi makabër, duke hetuar nëse ka persona të tjerë të përfshirë.