
Një grup kriminal është shkatërruar në kuadër të një operacioni të zhvilluar mes Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe autoriteteve gjermane. Objekti i këtij grupi ishte mashtrimi kompjuterik përmes një call center-i që ishte ngritur në Tiranë. Në total kanë rënë në pranga 5 persona, tre janë vendosur në arrest shtëpi dhe dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim.
Më shumë detaje për operacionin ka dhënë hetuesi i SPAK, Eneid Nakuçi. Sipas prokurorit, mëngjesin e sotëm është bërë i mundur ekzekutimi i masave të sigurisë për të gjithë personat që gjendeshin në territorin e Shqipërisë duke bërë me dije se aktualisht vlera e dëmit të shkaktuar ndaj 14 viktimave tejkalon 363 mijë euro. Por shtoi se nga hetimi janë shpëtuar 6 mijë raste, duke u shpëtuar kështu “viktimave potenciale|” gati 1 milionë euro.
“Në kuadër të këtij operacioni ndërkombëtar, në datën 18 prill të vitit që kaloi, nga ana e Prokurorisë së Posaçme është ushtruar kontroll në ambientet e një call centeri të paligjshëm në Shqipëri ku u gjetën dhe janë sekuestruar prova materiale të dyshuara të shumta, digjitale dhe dokumetare. Në kushtet kur kishim të bënim me dy hetime paralele në Gjermani dhe në Shqipëri, rezultatet dhe provat digjitale të kontrolleve u dërguan për një analizë më të rhelluar pranë autoriteteve gjyqësore gjermane. Në përgjigje, në sajë të bashkpëunimit gjyqësor ndërkombëtar, nga ana e autoriteteve gjermane u dërgua analiza e plotë e këtyre provave digjitale, të cilat të analizuara në harmoni me provat materiale dokumentare të sekuestruara në Shqipëri, ditën e kontrollit, çuan në rezultatin e qartë të ekzistencës të një grupi të strukturuar kriminal me qëllim mashtrimin e shtetasve gjermanë, por jo vetëm nëpërmjet qendrës së call centerave të paregjistruar si biznes në organet tatimore. Vlera e dëmit të shkaktuar dhe të dokumentuar për këtë fazë të hetimit për periudhën disamujore të call center-it është 363, 501 euro dhe bëhet fjalë për 14 viktima të mashtrimit në Gjermani. Vlera relativisht e ulët e dëmit të shkaktuar është meritë e risisë që paraqet ky hetim që është parandalimi i qindra tentativave për mashtrim të kryer nga autorët kundrejt viktimave gjermane. Sapo merreshin në telefon nga mashtruesit, viktimat më pas kontaktoheshin nga oficerët e policisë gjermane duke iu shpjeguar skemën e mashtrimit dhe anulimin e pagesave. Kjo ka sjellë parandalimin e mashtrimit në shuma më të mëdha te këto viktima,“-tha Eneid Nakuçi.
Nga ana tjetër, në konferencën për shtyp, Oliveri Ofman, drejtues i operacionit nga pala gjermane bëri me dije se autorët ishin të ndarë me disa shtete: Shqipëri, Bosnje, Serbi, Liban.
“Prej 18 muajsh operacioni, një piketë e rëndësishme në bashkëpunimin tonë dhe luftën në krimin e organizuar ndërkombëtar dhe skemat profesionale të mashtrimit. Operacioni Pandora nisi në dhjetor 2023. Filluan të përgjonim mbi 20 telefonata në ditë dhe krijuam gjithashtu edhe një qendër kundër thirrjesh me qëllim që këto telefonata mashtruese, duke u munduar të shmangim humbje financiare prej 10 milionë eurosh. Paralelisht me këtë zhvilluam hetime shumë komplekse në fushën e hetimit kompjuterik që të lokalizonin qendrat e dyshimeve dhe autorët në 5 shtete, Shqipëri, Bosnje, Serbi, Liban. Ky operacion çoi në goditjen e 12 qendrave thirrjesh ndërkombëtare dhe në arrestime të shumta, janë dhënë dënime të shumta ndër dhe dha organizatori i infrastrukturës së tyre në Gjermani. E kam për kënaqësi që u bë e mundur që të arrestoheshin më 31 korrik këta persona, dhe patëm mundësinë ta mbështesim në terren,”- tha Ofman.
Ndërkohë që edhe në ambientet e call-center-it janë gjetur prova materiale të shumta, për të cilat ende nuk janë zbardhur detaje.