
Detaje dhe akuza të reja po shpërndahen në rrjet lidhur me ngjarjen e bujshme të ndodhur në një hotel në Vlorë. Në “skenë” është shfaqur edhe Erges Eskiu, anëtar i Departamentit të Shëndetësisë të PD, me profesion logoped. Në një postim në rrjetet e tij sociale, Dr. Erges Eskiu zbulon se polici Ardian Isufi është dërguar në gjendje të rëndë në spital, duke zbuluar se ishte goditur me një levë hekuri në kokë, që sipas tij ishte përdorur nga një gazetar lokal. Po sipas tij, i pari që e ka goditur policin me levë ka qenë një gazetar, ndërsa më pas dhuna është përshkallëzuar nga disa persona të tjerë. E gjitha kjo sepse pak kohë më parë, efektivi i Policisë Isufi, kishte arrestuar nipin e pronarit Vasil Bedinaj. Eskiu pretendon se ngjarja është manipuluar për të fituar simpatinë e opinionin publik, kur në fakt ka pasur qëllime të tjera.
“Thuhet që personi i parë që ka goditur me levë policin është një gazetar lokal. Bëhet fjalë për një gazetar që ka disa biznese në Vlorë, menaxhon molin e skafeve në Vlorë dhe hetohet nga Prokuroria si pjesë e një grupi kriminal. Dhe nuk është çështje hakmarrje kjo për Aronin e shkretë. Ngjarja ka ndodhur 30-40 minuta me vonesë, pas goditjes së Aronit të shkretë. Dhe nuk e ka goditur polici. Por çfarë kanë bërë? Për të fituar mbështetje popullore, për të kthyer gjithë opinionin publik kundër policit në mënyrë që t’i shmangen drejtësisë kanë hedhur një sekuencë të shkurtër ku shihet një person që dhunon Aronin. Por që nuk është polici. Këta banditë për të shmangur përgjegjësitë penale kanë manipuluar opinionin publik. Dhe kanë masakruar në mënyrë shtazarake policin e shkretë sepse para një viti ky polic ka arrestuar thonë një nipin e Vasilit. Pra është shumë e rrezikshme në këtë moment dhe kërkoj të hetohet ngjarja deri në fund, të zbardhet e plotë. Sepse kur banditët ngrenë dorë mbi Policinë e Shtetit dhe Policia e Shtetit braktiset dhe nga kryeministri i vendit atëherë bëhet akoma më e rrezikshme situata sepse kur ia bëjnë një polici dhe nuk ndëshkohen, imagjinoni çfarë i bëjnë një personi të thjeshtë,”-thotë në videon e publikuar, Erges Eskiu, anëtar i Departamentit të Shëndetësisë të PD.