
Një tjetër leje e dyshimtë është miratuar nga qeveria disa javë më parë, në mbledhjen e radhës së Këshillit Kombëtar të Territorit. Bëhet fjalë për ngritjen e një kulle plot 39 të lartë dhe 4 kateve nëntokë (në total 43 kate) në një prej zonave më të bukura të Shqipërisë, e cila javë pas jave po betonohet masivisht.
Vendimi vjen disa ditë pas një tjetër leje tepër të dyshimtë në Sarandë, ku VoxNews denoncoi ekskluzivisht abuzimin e pushtetit me ngritjen e një kulle plot 32 kate në mes të Sarandës. Kulla do të ngrihej nga ish-kryetari i Bashkisë së Vorës, Shefki Karamuça, teksa duket se masivi i betoni me kulla të larta po prek edhe zonat bregdetare.
Leje për fshatra turistikë janë dhënë në tokë publike në Velipojë, Rana e Hedhun në Shëngjin për të kaluar në zonën e Kepit të Rodonit apo edhe në zonën e Gjirit të Lalzit. Leje për pallate sërish në bregdet janë dhënë në Durrës, Golëm dhe Qerret, ndërkohë që para pak javësh u prezantua edhe masterplani për zaptimin e zonës bregdetare të Darëzezës në Fier, apo Zvërneci dhe Ishulli i Sazanit në Vlorë.
Faksimile: Vendimi i KKTU-së në muajin qershor 2025 për miratimin e kullës 43 kate (39 mbitokë dhe 4 nëntokë)
Po në Vlorë, me vendime dhe zaptime tepër të dyshimta, po ngrihen dita-ditës dhjetëra pallate. Zonat më të preferuara janë padyshim Lungomare dhe Uji i Ftohtë, deri në afërsi të Rezidencës së Pushimit të Qeveritarëve, territori dhe godina e së cilës iu dhanë privatit për zhvillim.
Por, nuk mbarojnë këtu lejet tepër të dyshimta! VoxNeës ka siguruar ekskluzivisht një tjetër vendim të qeverisë për dhënien e një tjetër kulle me 43 kate te zona e Ujit të Ftohtë.
Në një nga mbledhjet e muajit qershor, krerët e shtetit që janë edhe kryetarë dhe anëtarë të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit, miratuan një leje ndërtimi
Bëhet fjalë për “leje ndërtimi për ‘Godinë polifunksionale 1-39 kate, me 4 kate nëntokë me vendndodhje në lagjen ‘Uji i Ftohtë’ Bashkia Vlorë, me subjekt zhvillues subjektin ‘G&E Investment’ sh.p.k thuhet në dokumentet që hulumtoi VoxNeës.
Po përse duhet një kullë aq e lartë në një zonë bregdetare? Në atë zonë ka pasur pallate dhe njëri prej tyre, i vjehrrit të Lulzim Bashës, u prish nga qeveria aktuale disa vite më parë. Dhe po në të njëjtin vend jepen të tjera leje, madje për pallate shumëkatëshe, nga e njëjta qeveri!

Faksimile: Firma që do të ndërtojë kullën është themeluar në vitin 2022 me një kapital 100 mijë lekë
VoxNews hulumtoi edhe për firmën që do t’i jepet leja “G&E Investment”, e cila është themeluar në vitin 2022 me një kapital prej vetëm 100 mijë lekë.
Aksionerët e saj janë Gledis Çela dhe Endrit Shabani me nga 50 % të aksioneve. Fati dhe ndoshta lidhjet e tyre e deshën që ata të merrnin një super leje në një zonë tepër të lakmuar, për të vendosur një tjetër çiban në bregdet. /voxnews